Shoqata e Pacientëve kundër grevës në shëndetësi, konsiderohet e padinjitetshme dhe arbitrare

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 10:59 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka mbajtur konferencë në lidhje me grevën e mjekëve, që po mbahet në të gjithë sektorin publik shëndetësor, raporton Ekonomia Online.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i PRAK, ka thënë se në krahasim me Evropën, sistemi shëndetësor është shumë më i pavolitshëm për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, formën në të cilën stafi mjekësor ka hyrë në grevë, ai e ka quajtur të padinjitetshme, pasi tha se duhet të kërkohen reforma në shëndetësi dhe kushte më të mira.

Kodra tha se para kësaj greve, mjekët do duhej të përdornin forma te tjera, teksa ka përmendur se një nga format që do të mund ta provonin do ishte protesta para institucioneve.

Ai ka thënë se Shoqata është kundër kësaj greve dhe ka bërë thirrje që të ndërpresin atë, sidomos gjatë kësaj periudhe.

“Kemi një kërkesë për rritje pagash. Kjo është mënyrë më e padinjitetshme sidomos e një shtrese intelektuale. Ata duhet të kërkojnë reformë shëndetësore, mjete të punës dhe kujdesin shëndetësor të pacientëve. Për çudi më të zëshëm në këtë grevë janë kirurgët. Mos të harrojmë institucionet që kanë hy në grevë asnjë nuk janë të licencuara. Çka na tregon se licencimi tregon kushtet minimale për të dhënë shërbime shëndetësore. Para disa vitesh ka pas rritje pagash, mirëpo ato nuk na kanë dhënë rezultat se kushtet e shërbimit shëndetësor kanë pasur përmirësime”, tha Kodra.

Sipas tij, të gjitha qeveritë e pasluftës kanë dështuar në reformimin e sistemit shëndetësor.

“Sado që thanë që shëndetësia është prioritet nuk arritën të bëjnë asgjë në drejtim të reformës. Ata kanë filluar një politikë ndryshe që jo domosdo e sheh reformën në shëndetësi si primare. Shëndetësia në Kosovë nuk e ka problem vetëm financimin, me organizim të tillë nuk mund të presim shërbime cilësore. Sistemi shëndetësor përveç nënfinancimit, ka edhe keqmenaxhim të institucioneve. Nëse marrim raportet e tyre nuk na japin rezultat të qartë se çfarë punë është bërë aty. Njëjtë flitet në sektorin e bujqësisë, njëjtë në të shëndetësisë për rendimentet. Nuk flitet për kualitet të shërbimeve që pacientët kanë marrë”, tha ai, raporton EO.

Sipas tij, greva duhet të ndërpritet. Ai ka ftuar punëtorët shëndetësor të futen në dialog me organet e tjera.

“Sindikatat nuk duhet ti përdorin pacientët si armë në luftën që po e bëjnë ndaj qeverisë. Konsiderojmë se tani për tani greva duhet të ndërpritet dhe të futemi në dialog social dhe ne i përkrahim për buxhet shëndetësor”, tha Kodra.

Ai ka thënë se zgjedhja e një grevë të tillë është arbitrare, ndërsa ka bërë thirrje që shërbimet emergjente të zbatohen doemos.

“Shërbimet emergjente duhet të jepen, përndryshe është shkelje e kodit penal. Unë kam dëgjuar se nuk do të japim shërbime emergjente, nëse dëgjojmë këtë nga një profesionist është shumë e ligë. Nëse një mjek e lë të vdesë një pacient sepse është në grevë, nuk mund të quhet etikë e madje as mjek”, tha ai, raporton EO.

Lumbardh Bytyqi, anëtar i kësaj shoqate, ka thënë se duhet të bëhet një master- plan dhe të rriten kërkesat për shërbime më cilësore e jo vetëm për paga.

“Nuk duhet të lejojmë që pacienti mos ti marrë shërbimet pa marrë parasysh se çfarë greve jemi. Do kishte qenë mënyra më e mirë që bashkë me sindikatën të gjejnë një formë më të mirë duke mos vënë në rrezik jetën e pacientëve. Sindikata duhet të përqendrohet edhe në këto probleme, kur rritet GDP-ja, që edhe rritja e pagave, rritja shërbimeve, investimeve që do të bëheshin në të ardhmen. Pra është e vogël kërkesa për rritje të pagave. Ne konsiderojmë se stafi mjekësor duhet të ketë paga në përputhje me punën që bëjnë”, tha Bytyqi.

Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të tjera që merren me shëndetësi ta vënë në prioritet implementimin e reformës shëndetësore.

“Jo vetëm reformë, por reformë të madhe në shëndetësi”, tha ai.

 

 

Të ngjashme