Shpenzohen vetëm 600 mijë euro nga 6 milionë të investimeve kapitale në Podujevë

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Komunarët e Podujevës janë treguar shumë të ngathët në shpenzimin e mjeteve të parapara për investime kapitale. Për 6 muajt e parë të këtij viti ata kanë shpenzuar vetëm 614 mijë e 363 euro nga 6 milionë e 489 mijë sosh të planifikuara për këtë kategori. Kjo shifër e shpenzimeve për periudhën janar-qershor nuk e arrin as 10 për qind të shumës së paraparë për projekte kapitale.

Këshilltarja e lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Stublla, ka thënë se raporti financiar janar-qershor për vitin 2018 i paraqitur nga Drejtoria e Financave është një nga treguesit e mënyrës dhe kualitetit të kësaj qeverisje në vitin e parë të këtij mandati, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje ashtu si edhe në raportet e tjera financiare kemi të njëjtën vërejtje lidhur me raportin se nuk e përmbush kriterin e transparencës së shpenzimit të parasë publike, nuk është i qartë për publikun e gjerë, si dhe në disa kode nuk ka raportim të shpenzimit e që logjikisht është e pamundur të mos ketë shpenzime”, ka thënë Stublla.

“Tek investimet kapitale nga 6,489,514 euro të planifikuara për investime në projekte të ndryshëm kapitale janë shpenzuar vetëm 614 636.84, që do të thotë se janë shpenzuar vetëm 9.47 ℅ e mjeteve të planifikuara për investime kapitale. Ky realizim jashtëzakonisht i ulët i investimeve kapitale tregon dështimin e vërtetë të LDK-së në qeverisjen që nuk është e re as e jashtëzakonshme për këtë subjekt”, thotë Stublla.

Sipas Stubllës me këtë trend të shpenzimeve, Komuna nuk do të mundë të realizojë projektet e parapara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme