Shqetësuese, rriten rastet me kancer në Kosovë këtë vit

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në një intervistë për Gazetën InLajmi ka treguar se cilët janë faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të të prekurve me kancer, sa është numri i të prekurve me kancer gjatë këtiij viti, gjegjësisht deri në muajin nëntor 2021, cila është gjinia më shumë e prekur nga kjo sëmundje, në cilat stade po paraqiten rastete reja, sa është rritur vetëdijësimi për këtë sëmundje, a ka Kosova kushte për të trajtuar të sëmurët me kancer. Për këto dhe shumë pyetje të tjera, përgjigjet mund t’i kuptoni në intervistën në vazhdim.Inlajmi

 Këtë vit, gjegjësisht 11 muajt e këtij viti sa ka qenë numri i të prekurve me kancer në Kosovë?

Dr.Ilir Kurtishi: Këtë vit, gjegjësisht deri në muajin nëntor janë regjistruar rreth 1.400 raste të reja. Përfshirë edhe në muajin që jemi, pra dhjetor besoj se nuk do të kaloj numri 1.600. Në krahasim me vitin 2020, viti kur ka qenë kulmi i pandemisë është diku 4-5% më shumë dhe ky trend i rritjes është nga viti në vit, por kemi pasë një situatë pak më në ngritje 2 muajt e fundit. Pra te mesi i muajit tetor dhe nëntor kur janë lajmëruar shumë raste të reja edhe raste që kanë pasë ndonjëherë trajtim edhe jashtë Kosovës. Kjo e fundit ka ndodhë sidomos për arsye të kufizimeve në lëvizje. Pra ata janë lajmëruar te ne edhe kanë kërkuar mjekimin saqë ka pasë javë kur ne kemi dhënë gati 1.200 doza kimioterapi për 5 ditë që ka qenë numër rekord i këtyre shërbimeve si dhe kemi bërë numër rekord të shërbimeve në radio terapi.

Kemi arritë që diku 140 -150 persona në ditë të rrezatohen me 2 aparaturat, që është rekord i vërtetë i kësaj natyre të punës. Deri në aktivizimin e aparatit të ri, gjatë këtij viti ne masatarisht kemi rrezatuar diku 70-80 persona në ditë dhe tash ky numër është rritur. Marrë parasysh edhe rrezatimin që jemi duke e bërë për organet gjenitale të femrës, për mitrën, qafën e mitrës dhe vezoreve, përmes Brahoterapisë.

Aparati i Brahoterapisë është funksionalizuar së fundmi apo jo?

Dr.Ilir Kurtishi: Po, e vërtetë. Është funksionalizuar këtë vit dhe kjo gjë është e madhe e realizuar për Klinikën Onkologjike në Kosovë. Ne kemi arritur deri më sot që diku 60-70 femra të rrezatohen. Nga muajt e fundit nëntor-dhjetor ne këtë shërbim e kemi funksionalizuar gati komplet dhe kemi filluar të bëjmë gati përditë rrezatimet të brendshme te femrat pasi që është një metodë e cila vie gjithmonë pas një rrezatimi të jashtëm te kancereve të organeve gjenitale apo në disa raste të caktuara si e vetmja metodë e trajtimit të pacientëve nëse indikacionet dhe gjendja e sëmundjes tregon për atë sëmundje kur është e hershme. Klinika Onkologjike e ka kompletuar formën e mjekimit me rreze në Kosovë me format bazike dhe standarde të cilat bëhen edhe në rajon.

Së fundmi Parlamenti i Kosovës ka miratuar projektpropozimin për blerjen e një aparati mjaftë preciz dhe të sofistikuar për rrezatimin e personave me kancer

Dr.Ilir Kurtishi: Po së fundmi kemi një grant nga Parlamenti i Kosovës që në vitin 2022 ne të kemi një aparaturë te re. Dhe me 2 aparatura që i kemi tash për tash mendojmë që së paku 5-10 vitet e tjera Kosova të ketë një shërbim shumë modern të rrezatimit i cili do t’i përballoj gjitha nevojat e pacientëve tanë edhe pse këto nevoja ne jemi të vetëdijshëm se do të rriten edhe më shumë, pra numri i pacientëve me kancer në Kosovë do të shënoj ngritje se ashtu është trendi në krejt botën. Por sa i përket rrezatimit ne do të jemi mirë të mbuluar edhe për një kohë relativisht të gjatë.

Me aparaturën e re do të jemi në gjendje t’i rrezatojmë gati të gjitha problemet edhe ato tumoret e vogla të cilat kanë një lokalizim pak më specifik dhe kanë nevojë për trajtim edhe më preciz. Normalisht me këtë do t’i ofrojmë gjithë qytetarëve shërbime onkologjike në Kosovë, përjashtim të disa rrezatimeve ose formave të trajtimit onkologjik që nuk bëhen as në rajon.

 Për cilat shërbime bëhet fjalë?

Dr.Ilir Kurtishi: Radioembolizimet janë metoda më të vecanta të rrezatimit që mund të bëhen në disa metastaza si në mëlçi dhe mushkëri. Kur nevojitet teknikë dhe metodë e veçantë. Por këto shërbime nuk bëhen as në vendet e rajonit dhe janë një numër i vogël i pacientëve që do të kenë nevojë për to.

Mjekimi me “Gama Knife” metodë shumë e sotisfikuar e rrezatimit e cila ka një kosto shumë të lartë.

Për këto 2 shërbime, aparaturat janë shumë të kushtueshme dhe nevojitet të kemi një staf të veçantë të vendosjes së këtyre aparaturave dhe numri i personave që kanë nevojë për përdorimin e këtyre aparaturave është shumë i vogël dhe në masë të madhe mund të kompensohet.

Rastet që kanë qenë këtë vit me kancer, a ka pasur më shumë të prekur femra apo meshkuj?

Dr.Ilir Kurtishi: Janë diku rreth 400 femra me kancer të gjirit dhe organeve gjenitale, ne kemi një numër pothuajse të barabartë pasi që kanceri i mushkërive dhe ai i zorrës së trashë është në numër pak më të madh te meshkujt derisa te femrat dominon kanceri i gjirit si problematikja më e madhe në Kosovë.

Pas kancerit të mushkërive te meshkujt që është i pari te meshkujt, i 2-ti kanceri i zorrës së trashë dhe pastaj organet gjenitale, mitra, qafa e mitrës dhe vezoret. Ajo që është e rëndësishme për tu thënë nga viti në vit kemi një trend të rritjes së sëmundjes malinje të lukthit, pankreasit apo edhe formave të tjera të kancerit të testikujve te meshkujt nën moshën 40 -vjeçare. Ne shënojmë një ngritje të këtyre rasteve të cilët kanë një impakt në trajtimin e tyre dhe kanë një kosto shumë të lartë të mjekimit.

Cili lloj i kancerit dominon në përgjithësi?

Dr.Ilir Kurtishi: Kanceri i gjirit dominon deri 400 raste te femrat për një vit, prej tyre 4-5 meshkuj diagnostifikohen me kancer të gjirit në vit, dhe menjëherë pas këtyre vjen i mushkërive ku i kemi 220 raste të reja çdo vit, me këtë kancer ka numër më të vogël të femrave. Kanceri i zorrës së trashë me përqindje është i njëjtë për të 2 gjinitë. Me këtë të fundit janë 150-200 raste, mund të jetë edhe më i lartë dhe është shqetësues.

Por marrë parasysh edhe numrin e vendeve të rajonit me këtë numër qëndrojmë ne më mirë, kemi më pak por kjo mund të jetë edhe reale deri diku sepse e kemi dhe një numër të pacientëve që nuk lajmërohen tek ne sepse bëjnë zgjidhje jashtë Kosovës edhe pse është numër shumë i vogël.

Sa është numri apo përqindja e pacientëve që trajtohen jashtë vendit?

Dr.Ilir Kurtishi: Realisht në përgjithësi jemi mirë të mbuluar me ilaçe. Këtë vit ka ndodhë kanë qenë disa raste që nuk kemi pasur mbulim me terapi. Por menjëherë jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK. Për ato terapi, barna që i përdorim i kemi mbi 90%, përjashtim një ilaç Gemzan. Pra kjo ka ndodhë për shkak të mos ofrimit nga operatori ekonomik.

 Ndodhë që në ndonjë rast nuk ka pasur barna për kimioterapi. A janë të shtrenjta kimioterapitë, sa sillen çmimet?

Dr.Ilir Kurtishi: Realisht terapitë janë të shtrenjta. Kemi terapi kur vjen një pacient që ka nevojë me marr një kimioterapi me kosto të lartë. E këtë terapi ndodhë që e merr për një vit. Trajtohet dhe mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe Imunoterapia ka kosto të lartë dhe mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Ka ilaçe që kanë kosto më të lira prej disa euro deri në 100.

Barnat që janë shtrenjta kapin kosto disa qindra euro e që fatmirësisht gati të gjitha janë në klinikë. Në vitin 2020 i kemi pas 80 % të ilaçeve, por edhe këtë vit i kemi paspothuajse gjatë gjithë kohës aty, shpresojmë edhe vitin 2022 të jemi mirë kështu.

Me ngritjen e buxhetit për barna esenciale të jemi edhe më mirë edhe ta presim këtë valë të re të pacientëve që mund të lajmërohen vitin 2022, pra të jemi në gjendje të ofrojmë kushte të mira.

A mendoni se ka mjaftueshëm kampanja vetëdijësimi për sëmundjen e kancerit?

Dr.Ilir Kurtishi: Kemi bërë në muajin tetor që njihet edhe si “Muaji i Kancerit të gjirit”, por duhet bërë normalisht edhe më shumë kampanja. Për kancer të gjirit kemi pasur raste kur janë paraqitur femra me stadin 0, stadin një apo 2. Madje kemi raste kur nuk japim kimioterapi.

E në këto raste nuk u japim fare kimioterapi, dhe trajtohen veç me terapi hormonale. Paraqitja e herëshme e pacientëve me kancer ua shpëton jetën atyre, na lehtëson neve punën dhe shtetit për buxhet.

Në cilat stade po lajmërohen pacientët me kancer?

Dr.Ilir Kurtishi: 2 stadet e para dhe të fundit, 50 me 50%. Kurse më herët ka qenë shumë më keq. Mbi 60-70% kanë qenë të diagnostifikur në stadin e 3 ose 4 të kancerit.

 Cila moshë ka dominuar sivjet, pra sa i përket rasteve të kancerit?

Dr.Ilir Kurtishi: Doninon mosha mbi 50-60, është mosha më e atakuar me kancer. Edhe pse për fat të keq kemi mosha edhe të reja që diagnostifikohen me kancer, mosha nën 50 -vjeçare me kancer të gjitha llojeve, sidomos te femrat për kancerin e gjirit, apo organeve gjenitale, si vezoret, mitra, te meshkujt është interesant, nën moshën 50 -vjecare për kancerin e mushkërive dhe krejt sistemin digjestiv, lukthit, pankreasit, ezofagut, mëlqisë.

 A është në plan të rritet numri i hapësirave në objektin e Klinikës së Onkologjisë. Ta zëmë, të shtohet numri i sallave për kimioterapi, atyre për qëndrim 24 orë. Kjo për faktin se rastet veç po rriten?

Dr.Ilir Kurtishi: Për trajtim më të gjatë janë dhomat për pacientë që marrin terapi 24 orë. Ajo çka është e rëndësishme është shërbimi paliativ, pra duhet të bëhet një spital i vecantë.

Aty pacientët do të janë në gjendje terminale jo vetëm me kancer por të kenë një trajtim më të gjerë dhe të jenë pjesë e jetës që e kanë, ta kenë më pak probleme dhe të menaxhohen mënyrë profesionale sepse është shumë barrë e madhe e familjes dhe pastaj ajo të merret me menaxhimin e pacientëve edhe pse spitalet rajonale duhet ta kenë një hapësirë të veçantë.

Ne merremi edhe me kujdes paliativ në mugesë të mjekevë palitiv, qendrës paliative e cila do t’i zgjidhte shumë probleme.

Ka 3 vite që janë bërë sallat për qëndrim tërëditor, por kemi bë kërkesë me e rrit edhe hapësirën për kimioterapi.

Në vitin 2022 shpresojmë në ndihmën nga donacionet, SHSKUK e MSH të ndërtohet një objekt i veçantë.

Vitin e ardhshëm kur të instalohet pajisja e re, aparatura pastaj të kemi vend të veçantë të cilët do na mundësonin një komoditet për trajtimin e pacientëve.

 A ka një konkluzion pse po përhapet me të madhe kanceri?

Dr.Ilir Kurtishi: Është stili i jetës, faktorë të jashtëm, faktorë gjenetikë, stresi, jeta dinamike, ushqimi jo adekuatë.

Ato që janë të konfirmuara shkenctarisht në shfaqjen e kancerit duhet t’i largohemi, ta zëmë pirja e duhanit e alkoolit, e pjesa tjeter është pjesa gjenetike.

 Hezitimi për të shkuar te mjeku është e pa justifikueshme. Simptomat që paraqiten janë alarm se diçka po ndodh me trupin e njeriut dhe duhet patjetër të vizitohet mjeku për të bërë të gjitha ekzaminimet e duhura në mënyrë që të vërehet herët kanceri dhe të shpëtojmë jetë.

Te pacientët me kancer i inkurajojmë që ta vazhdojnë mjekimin, mjekësia po shkon përpara, format e mjekimit janë shumë të sofistikuara.

Çelësi i suksesit tonë është jo veç dhënia e ilaçeve, por diagnosfistimi i hershëm i sëmundjes, me kampanja, jo veç në muajin tetor por çdo muaj.

Të ngjashme