Shqiptohet vërejtje publike me shkrim ndaj gjykatëses Lidija Vuçuroviq për pjesëmarrje në takimin e Listës Serbe

Prishtinë | 26 Tet 2023 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka shqiptuar vërejtje publike me shkrim ndaj gjykatëses së Gjykatës së Apelit, Divizioni në Mitrovicë, Lidija Vuquroviq.

Në vendimin e 28 korrikut 2023 të Këshillit, thuhet se ndaj gjykatëses Lidija Vuquroviq është shqiptuar sanksioni disiplinor “Vërejte publike me shkrim”, pasi e njëjta kishte marrë pjesë në takimin e organizuar nga Lista Serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë vendim, Këshilli e ka marrë pasi ka vërtetuar se gjykatësja Vuquroviq ka kryer shkelje disiplinore, sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Autoriteti kompetent, më 13 dhjetor 2022 kishte dorëzuar në KGJK kërkesën për fillim të hetimit ndaj gjykatëses Vuquroviq, me pretendimin se e njëjta kishte marrë pjesë në takimin e Listës Serbe, e si provë kishte dorëzuar fotografitë dhe shkresat me të cilat kishin raportuar mediat.

Sipas vendimit, KGJK më 18 maj 2023 kishte zhvilluar seancën dëgjimore, në të cilën Paneli Hetimor si fakt kontestues kishte përmendur atë që nëse gjykatësja Vuquroviq ka qenë në dijeni për takimin, natyrën e tij dhe kush ishte organizator i takimit në fjalë.

Gjykatësja Vuquroviq, në seancën dëgjimore nuk kishte mohuar pjesëmarrjen në takim, sipas saj në takim i është kërkuar të shkojë urgjent për të diskutuar lidhur me punën e gjyqtarëve të komunitetit serb dhe nuk kishte qenë në dijeni për llojin e takimit dhe organizatorin.

“Znj. Vuquroviq, theksoi se është e vërtetë që ka marrë pjesë në takimin e datës 5 nëntor 2022, mirëpo nuk ka qenë në dijeni për natyrën e takimit dhe kush është organizator, por vetëm është ftuar që të merr pjesë në këtë takim urgjent sepse i është thënë se do të diskutohet lidhur me punën e tyre si gjyqtar të komunitetit serb në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës. Gjyqtarja Vuquroviq më tutje deklaroi se në përvojën e saj të gjatë si gjyqtare asnjëhere nuk ka qenë e angazhuar në ndonjë aktivitet të natyrës politike”, thuhet në vendim.

KGJK ka vlerësuar se gjykatësja Vuquroviq ka mundur të tërhiqet nga takimi kur e ka kuptuar organizatorin e saj, në mënyrë që të ruajë pavarësinë e gjyqtarit.

“Për Këshillin nuk është kontestuese pjesëmarrja e subjektit të hetimit në takimin e datës 5 nëntor 2022, sepse është dokumentuar me prova dhe fotografi ku shihet qartë pjesëmarrja e subjektit të hetimit, mirëpo ka vlerësuar se edhe pse gjyqtarja nuk ka qenë në dijeni për natyrën e takimit, e njëjta ka mundur të tërhiqet nga takimi kur e ka kuptuar se nga kush është organizuar takimi, në mënyrë që kjo të mos ndikojë në besimin e publikut për pavarësinë e gjyqtarit”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Për këtë, në vendim thuhet se gjyqtarja me pjesëmarrjen e saj në takimin e organizuar nga përfaqësues të partisë politike, ka konsumuar të gjitha elementet e shkeljeve etike.

Sa i përket masës dispilinore, KGJK ka vlerësuar se vërejtja publike me shkrim ka qenë masa më adekuate në raport me shkeljen që kishte bërë gjykatësja Vuquroviq.

“Masa disiplinore e shqiptuar, sipas vlerësimit të Këshillit në rrethanat aktuale është masë adekuate në raport me shkeljen e konsumuar nga ana e subjektit të hetimit, pasi që në rastin konkret ka qenë e pamundur të aplikohet masa e zbritjes së pagës duke qenë se subjekti i hetimit është gjyqtar që ka deklaruar dorëheqjen, ndërsa masa tjera janë konsideruar jo proporcionale përveç masës së vërejtjes publike”, thuhet në vendim.

Të ngjashme