SHSKUK njofton riemërimin e Elvir Azizit si drejtor, numëron sukseset nën udhëheqjen e tij

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), në ushtrimin e kompetencave të tij ligjore dhe statutore, ka vendosur për vazhdimin e mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi, duke u bazuar në rezultatet e arritura gjatë periudhës së udhëheqjes së tij, si dhe në nevojën për të siguruar vazhdimësi institucionale.

Gjatë periudhës 2023–2025, SHSKUK ka shënuar progres të dukshëm në shumicën e treguesve kryesorë të performancës. Numri i pacientëve të shtrirë/hospitalizuar është rritur për 11.9%, numri i operimeve për 12.5%, vizitat ambulatore për 24.6%, shërbimet laboratorike për 20.5%, ekzaminimet CT për 12.7%, ndërsa ekzaminimet MRI kanë shënuar rritje prej 71%. Gjithashtu, është rritur edhe volumi i shërbimeve të kardiologjisë invazive, me 11.9% më shumë koronarografi dhe 13.3% më shumë implantime të stentave.

Në të këtë periudhë janë realizuar projekte të rëndësishme zhvillimore dhe strategjike, përfshirë funksionalizimin e Cath Lab-it në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, investimet në Mjekësinë Nukleare, zgjerimin e kapaciteteve të Kardiokirurgjisë, hapjen e shërbimeve të reja në spitalet e përgjithshme, zhvillimin e programit të fertilizimit të asistuar (IVF), investimet në Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë LuxDev dhe GIZ.

Bordi Drejtues mbetet i vetëdijshëm se sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme, si listat e pritjes, mungesat periodike të materialeve dhe nevoja për shtim të personelit dhe investimeve. Megjithatë, vlerësojmë se këto sfida kërkojnë vazhdimësi në menaxhim dhe përfundimin e reformave dhe projekteve strategjike që janë në proces.

Vendimi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së nuk bazohet vetëm në rezultatet e arritura deri më tani, por edhe në nevojën për të siguruar stabilitet institucional, vazhdimësi të projekteve zhvillimore dhe konsolidim të mëtejshëm të sistemit shëndetësor publik në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme