MPB: Shteti po vazhdon intervenimet pas vërshimeve, situata drejt qetësimit

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë të ditur se pas ndaljes së reshjeve të shiut, Kosova ka kaluar të premten një natë të qetë.

Në një komunikatë të MPB-së të shtunën thuhet se njësitet e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) po vazhdojnë të largojnë me pompa ujin në shtëpitë e përmbytura nga uji.

“Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

Reshjet e shiut që kanë nisur të enjten kanë shkaktuar vërshime në disa qytete të Kosovës, duke bërë që shumë shtëpi, rrugë e toka të përmbyten.

Gjendja më e rëndë është vlerësuar të jetë krijuar në Skenderaj dhe Mitrovicë.

Të ngjashme