Shumica e kosovarëve, me gjendje të rëndë sociale

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Dihet, të ardhurat e një familje dhe niveli i çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve, e sidomos çmimet e produkteve elementare ushqimore dhe ato të higjienës, janë përcaktues kyç i standardit të jetesës. Në këtë kontekst, Kosova, banorët shumicë absolute të saj, del të kenë aktualisht standard që lë shumë për t’u dëshiruar dhe karakterizohen me gjendje evidente të rënduar sociale. Sepse, përgjithësisht të ardhurat e një familjeje në Kosovë janë relativisht të ulëta, ndërsa kur të kihet parasysh niveli i çmimeve të të gjitha produkteve, por edhe ato të shërbimeve (në shëndetësi sidomos), të ardhurat familjare në republikën tonë zhvlerësohen maksimalisht dhe në këtë mënyrë e bëjnë gjendjen sociale, nëse mbështetemi në standardet ndërkombëtare, të mjerueshme, të çekuilibruar maksimalisht në favor të varfërisë, në favor të përjashtimit social dhe sfiduese për mbijetesën e shumicës së kosovarëve.

Të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social në Kosovë mund të llogariten njerëzit e prekur nga varfëria e të ardhurave, që në këto momente janë numerikisht të shumtë, njerëzit e prekur nga varfëria e rëndë materiale dhe varfërimi social, që po kështu numerikisht janë frikshëm me numër enorm të madh dhe njerëzit e prekur nga intenziteti shumë i ulët i punës, ose të prekur nga papunësia, që në Kosovë, gjithsesi, me vite është shqetësuese. Duhet thënë se çekuilibri social me tendenca të theksueshme të varfërisë evidente në Kosovë është pasojë në radhë të parë e varfërisë së të ardhurave (varfërisë materiale-financiare) dhe ngritjes enorme të çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve.

Të ardhurat e ulëta familjare (në shumicën e familjeve të Kosovës), pagat e ulëta në të dy sektorët, veçmas në sektorin privat dhe çmimet enorme të larta- të barabarta me çmimet në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës, edhe pse pagat e kosovarëve edhe sot e kësaj dite mbesin më të ulëtat ndër këto shtete, po se po, e kanë ç’rregulluar në përmasa të krizës sociale gjendjen e mbijetesës së kosovarëve. Derisa çmimet, sidomos ato të produkteve të shportës, thuaja se nuk ditë që nuk shënojnë ngritje enorme, në Kosovë pagat kanë lëvizur me hapa të breshkës.

Madje, në disa kategori të banorëve të Republikës, siç janë pensionistët, as që kanë lëvizur me vite fare. Me 100 euro pension të pleqërisë, sa kanë pensionet shumica e të moshuarëve të Kosovës, nuk ka si mos të rëndohet gjendja sociale e këtyre njerëzve. Prandaj, sot kemi këtë gjendje sociale në vendin tonë, ku fuqia blerëse e shumicës së banorëve ka rënë “përtokë”.

Sado që në Kosovë nuk ka evidenca të sakta që do të pasqyronin së paku përafërsisht të dhënat për tre komponentët e sipërpërmendur dhe që aplikohen nga Statistikat e BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), ca statistika të tjera që defilojnë në Kosovë dhe që përgatiten nga institucione shtetërore, por edhe nga hulumtime të asociacioneve të shoqërisë civile, në njëfarë mënyre shpërfaqin dhe pasqyrojnë gjendjen e rënduar sociale dhe të rrezikuar nga varfëria, të një numri tronditës të kosovarëve.

Ndërkohë, Kosova në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike jo vetëm që nuk po arrinë ta zbusë varfërinë, por ç’është më keq, po vazhdon ta thellojë atë. Dhe, Kosova vazhdon të jetë sot e kësaj dite e skamur. Është më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale. Vetëm Shqipëria, ndoshta është shumë pranë, për nga varfëria.

Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në prill të këtij viti, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.

Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”.

Sipas këtyre të dhënave, për gjysmën e parë të vitit 2022, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB-së për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtar duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse. Sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë më të varfërat në rajon, duke u radhitur në vendet 105, përkatësisht 90. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë. Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditur në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë.

Ndërsa, sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë, kurse 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Analistët e fushës së ekonomisë kërkojnë nga qeveria që të investojë më shumë në përforcimin e sektorit privat, që konsiderohet si indikator kryesor për zbutjen e varfërisë.

Në anën tjetër, çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri, vezët etj), përditë shënojnë ngritje enorme të reja. Inflacioni aktualisht ka arritur diku afër 13 për qind. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, nga muaji shtator në muajin tetor është shënuar 0.9% inflacion. Në këtë mënyrë, sot sigurimi minimal i ekzistencës për shkak të çmimeve enorme të shportës familjare dhe për shkak të pagave të ulëta, sidomos në sektorin privat, janë bërë sfidë e papërballueshme për shumë familje anekënd vendit. Rritja e madhe e çmimeve bënë që edhe një numër i madh i qytetarëve të vendit të përballen me varfëri të skajshme.

Krahasuar me tetorin e vitit 2021 me tetorin e 2022-tës, lëndët djegëse kanë shënuar ngitje 56%, vajrat ushqimore mbi 40%, buka e drithërat 30%, qumështi e produktet e qumështit dhe vezët 27% ndërsa karburantet 20%.

Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato, janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës. Rritja e pagave është nevojë urgjente në sektorin publik dhe atë privat në Kosovë, vlerësojnë njohësit e ekonomisë në vend.

Sipas tyre, rritja e pagave do të ndihmonte në rritje të konsumit, prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Qeveria e Kosovës, por edhe bizneset duhet të rrisin pagat në raport me inflacionin, theksojnë analistët dhe njohësit e rrethanave. Por, Kosova me këtë stad të zhvillimit ekonomik dhe me mungesë evidente të parave nuk e ka të lehtë të rrisë pagat, edhe pse dihet se çdo rritje e pagës, shton konsumin dhe prodhimin në vend.

Instituti për Studime të Avancuara GAP në raportin “Si ndikon në inflacion kontrolli i çmimeve të produkteve?“, ka vlerësuar se rritja e ndjeshme e çmimeve po e rëndon mirëqenien e familjeve në Kosovë, derisa sfiduese do të jetë dhe furnizimi me energji elektrike në muajt në vijim. GAP me anë të këtij raporti ka kërkuar miratimin e Ligjit të ri të Pagës Minimale dhe heqjen e tatimit për gazin e peletin.

“Krahas masave aktuale të Qeverisë, është e duhur që të miratohet paga e re minimale e cila do të ndikonte rreth 106 mijë punonjës të sektorit privat. Po ashtu, të konsiderojë lirimin nga obligimet tatimore për gazin dhe peletin, çmimet e të cilave parashihet të kontrollohen përmes ligjit të ri”, thekson GAP në raport, duke konstatuar se “politika e kontrollit të çmimeve mund të dëmtojë sektorët e ndikuar”.

GAP rekomandon forma të tjera të ndihmës ndaj qytetarëve, që kryesisht parashohin uljen e normave tatimore ose heqjen e TVSH-së dhe akcizës për disa produkte.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kohë më parë në, në një takim me qytetarë të Obiliqit tha se “Qeveria e Kosovës ka vendosur që në kohë krize të qëndroj spektatore, ajo në vend që të marrë hapa konkret në lehtësimin e krizës ekonomike, po e rëndon atë, duke mos vepruar e duke u sillur që gjithçka është në suaza normale. Inflacioni sot ka arritur në shifra rekorde ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, ngritja e çmimeve të produkteve bazike është dyfishuar, andaj dhe lufta për ekzistencë është beteja me të cilën po përballen shumë qytetarë. Nevojave dhe kërkesave të tyre ne u po ju japim përgjigje e alternativë, andaj ky diskutim e shkëmbim idesh e mendimesh do të jetë boshti i planit tonë qeverisës”, ka përfunduar kryetari Abdixhiku.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, sikur nuk do ta pranojë gjendjen e rënduar sociale të vendit. Ai përmes një shënimi në Facebook, duke falënderuar deputetët për votimin e buxhetit, ka thënë se nga ky buxhet përfitojnë të gjithë.

“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar…”, ka thënë Kurti dje në Kuvend.

Tutje, gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti ka thënë se janë të vetëdijshëm për situatën e rëndë ekonomike dhe energjetike, e cila është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, por që ky projektbuxhet është menduar që të vihet tërësisht në ndihmë të qytetarëve. Megjithë fjalët e mira dhe premtimet optimiste të kryeministrit, mbetet të shihet se sa do të jetësohen këto parashikime dhe sa do t’u vihet në ndihmë të qytetarëve buxheti i vitit 2023. Dimri është në prag. Mungesat e energjisë elektrike për kosovarët janë të tejdukshme, ndërkohë që nuk prajnë kërkesat, edhe nga zyrtarët edhe nga kompanitë distribuese dhe furnizuese, për ngritjen e sërishme të çmimeve të rrymës. Kjo, është gjendja e pritshme me të cilën do të përballen kosovarët në ditët në vijim.

Të ngjashme