Para se të fillojë ky proces kompanisë duhet t’i rikthehet profiti duke mos përjashtuar edhe rishikimin e listës së pagave. Kështu ka thënë për Radio Kosovën ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Në kohën e procesit të privatizimit të Telekomit para pesë vitesh, kjo kompani kishte performancë të mirë, duke realizuar profit prej afro 60 milionë eurosh në vitin 2012. Kurse në vitin 2013, tenderin për privatizim e fitoi kompania, përkatësisht Fondi Investiv, Axos, me një ofertë prej afro 280 milionë euro. Pasi Kuvendi i Kosovës nuk i dha dritën e gjelbër privatizimit, ministria e zhvillimit ekonomik kishte vendosur që mos ta nënshkruante kontratën. Ky vendim ka bërë që Axos ti drejtohet Arbitrazhit ndërkombëtar për të kërkuar dëmshpërblim nga qeveria e vendit. Kurse sot, Telekomi i Kosovës po ballafaqohet me vështirësi të shumta, me përballje në gjykata të arbitrazhit, si dhe me humbje financiare. Tani është situatë e kundërt në aspektin e likuiditetit të kompanisë. Edhe pse në qarqet politike thuajse nuk flitet për privatizimin e Telekomit, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka thotë se privatizimi duhet të ndodhë.
“Telekomi duhet të privatizohet. Kur? Nuk është koha besoj sepse duhen dy procedura të ndryshojnë para se të shkojmë te privatizimi. E para është të kemi arbitrazhin e përfunduar, pra duhet të sigurohemi që nuk ka rast në arbitrazh para privatizimit dhe e dyta është ta kemi një performancë më të mirë operative. Pra një ndërmarrje që ka rreth 15 milionë euro humbje normalisht që nuk mund të jetë e suksesshme edhe në privatizim. Si rezultat duhet ti ndërmarrim disa reformat ë ristrukturimit, e në momentin që e kthejmë në profitabile apo të paktën mos të ketë humbje drastike atëherë jemi të gatshëm për privatizim”, thotë Lluka.
Ministri Lluka shprehet optimist se Telekomi mund të kthehet në kompani profitabile në një afat të shkurtë, veçse nevojiten vendime të guximshme, duke prekur edhe në paga të punëtorëve.
“Nëse ne e marrim si masë vitin 2018, besoj se viti 2019 do të jetë shumë më i mirë. Për arsye se lyp guxim pak, pra nuk është vështirë ta bësh ndërmarrjen profitabile, se rreth 27 milionë euro është lista e pagave, duhet të prekim pak në listë të pagave. E rreth 10 milionë euro janë pagesat për qira të ndryshme, mund të prekim aty sepse qiratë janë marramendëse si për postën po ashtu edhe për qiratë private që paguajnë antenat. Prandaj, shpenzimet operative janë mjaft të mëdha dhe nëse prekim kudo nga pak, atëherë besoj që edhe rezultati do të jetë mjaft i mirë në kursimin e atyre 15 milionë eurove që ka humbje”, thotë ministri.
E ministri nuk tregoi se sa mund të preket në listën e pagave, pasi sipas tij nuk varet nga ai.
“E kemi filluar krijimin e një grupi për qeverisje koorporative të ndërmarrjeve publike dhe ai grup i përbërë nga ekspertë të jashtëm, të brendshëm e nga shoqëria civile do të vije me një plan-program. Pra, me disa rekomandime, e që ato rekomandime normalisht do të shqyrtohen në bashkëpunim me bordet e ndërmarrjeve dhe të gjejmë ndonjë harmoni për ekzekutimin e atyre rekomandimeve”, tha Lluka.
Prandaj ministri Lluka tha se ai si ministër nuk mund të merë vendim se me sa përqindje do të zvogëlohen ato paga.