Skandal 300 mijë eurosh në Ministrinë e Gërvallës, u blenë vetura pa nevojë nga një kompani në Kroaci – u falsifikuan dokumentet

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Në një histori që përmban më shumë shkelje se sa hapa proceduralë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) përmes fiskulturave me ndryshime datash, dokumentesh e personave nënshkrues, ka realizuar blerjen e disa makinave nga një kompani në Kroaci.

Albanian Post përmes dokumenteve të siguruara dhe burimeve ka kuptuar se tenderi prej mbi 300 mijë eurove u shpall dhe realizua në kohën kur Martin Berishaj u dekretua ambasador në Kroaci.

Procesverbali i siguruar nga Albanian Post zbulon se një pjesë e mirë e negociatave me kompaninë dhe konsultimeve për blerje u bënë pikërisht në ambientet e ambasadës së Kosovës në këtë shtet.

Parregullsitë do fillonin qysh në start. Sekretariati i MPJD-së në kundërshtim me praktikat e mëhershme kishte kërkuar të shpallej tender për blerje veturash për misione të caktuara diplomatike të Kosovës kur ato misione nuk kishin kërkuar fare makina dhe s’u duheshin.

Kjo dëshmohet edhe përmes e-mailave që AP ka siguruar.

Në një mesazh elektronik të 3 dhjetorit 2021 Zyra e Sekretarit të MPJD-së kërkon nga zyrtari Mehmet Krasniqi të dijë “nëse keni listë se sa vetura kanë në dispozicion misionet diplomatike dhe sa misione diplomatike kanë nevojë për vetura të reja?”.

Krasniqi kthen mesazhin duke konfirmuar se “në zyrën e transportit nuk ka dërguar asnjë mision ndonjë kërkesë për blerje veturash”.

E-mailat ne mes te zyrtareve te MPJ-se

Për më tepër, ekziston edhe një vendim i marrë fillimisht nga ish-kryeministri Avdullah Hoti me datë 19 tetor 2020 dhe i përforcuar nga Albin Kurti me datë 14 korrik 2021 që “ndalon procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre”.

Vendimet nga Hoti dhe Kurti

Kjo do të duhej të ishte bazë e mjaftueshme që as mos të nisej procedurë e blerjes, por tashmë ishte vendosur ndryshe, qoftë edhe nëse bëhen shkelje ligjore.

Tenderi ekspres do të mbante emrin “Furnizim me vetura dhe kombi (veturë me shumë ulëse) për nevojat e MPJD-së”, derisa shuma zyrtare ka shifrën MBI 300 mijë euro.

I vetëdijshëm për parregullsitë me të cilat kishte nisur procesi, Drejtori i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, Agron Maloku, nuk do ta mbështeste këtë blerje.

Pa asnjë kërkesë nga misionet se u duhen makinat e reja dhe pa dëshmi se blerja e tyre është e nevojshme, Maloku e kishte të pamundur të përfshihej në proces.

Por, me një praktikë të paparë më herët, Ushtruesja e Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Elmaze Pireva, kishte autorizuar një vartës të Malokut me emrin Xhelal Gega që të “fillojë me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Furnizimi me vetura dhe Kombi për MDK’, sipas kushteve dhe procedurave të parapara”.

Gega do të duhej, sipas procedurës, ta protokollonte, por edhe ai kishte refuzuar të nënshkruante, kur do kuptonte arsyet e refuzimit nga shefi i tij Maloku.

Siç shihet në dokumentin e datës 8 dhjetor 2021 të cilin e ka siguruar Albanian Post, Gega nuk kishte vënë nënshkrimin, por pavarësisht kësaj, ashtu e panënshkruar “Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së fondeve” u protokollua.

Të vetëdijshëm se u duhet një nënshkrim patjetër për të vazhduar procedurën e blerjes, ky proces do fillonte të shihte shkelje akoma më të mëdha.

Fillimisht, për ta hequr qafe si pengesë, zyra e Sekretarit të Përgjithshëm do ta largonte kokë-çarësin Agron Malokun, që assesi nuk po bindej për të nënshkruar dhe duke qenë proceduralisht i përpiktë po pengonte blerjen e detyruar.

Pas kësaj faze do të falsifikohej edhe dokumenti, që fillimisht ishte protokolluar me 8 dhjetor 2021. Meqë, dokumenti ishte i panënshkruar, zyrtaret e afërt me Gervallen, do ta largonin dokumentin e parë nga dosja zyrtare dhe në të njëjtën kohë do falsifikonin një dokument të ngjashëm, por me një kohë retroaktive, që mban datën 5 dhjetor 2021.

Pra, një proces që kishte ndodhur tri ditë më parë, po ri-ndodhte sërish, por tani me anashkalim të personave kompetentë dhe caktim joligjor të zyrtarëve të tjerë që do nënshkruanin pa pyetur.

Paradoksalisht, sot, ekzistojnë dy dokumente për të njëjtën gjë me data të ndryshme – njëra e nënshkruar, tjetra jo. Të dy dokumentet i posedon Albanian Post.

Krahasimi i dokumenteve

Kështu, sekretariati do të vendoste si zyrtar Ragip Zejnullahun, person që akoma nuk kishte as funksion konkret meqë ai vinte nga ish-ministria e Diasporës dhe fuzionimi i ministrive në qeverinë e re akoma s’kishte ndodhur.

Zejnullahu normalisht do nënshkruante, përkundër se zyrtarisht s’ishte as i punësuar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Me 10 dhjetor do kryhej gjithçka. Blerja ilegale mund të vazhdonte.

Nga 3 dhjetori kur u bë kërkesa fillestare, vetëm shtatë ditë më vonë paratë ishin në duart e atyre që donin të blinin veturat që s’ua kërkojë kush.

Ofertuesin veçse e kishin të gatshëm – përfaqësinë e kompanisë Porsche në  Zagreb.

Sot, e kësaj dite, askush nuk di të shpjegojë përse në Zagreb e jo diku tjetër, p.sh., në Gjermani, ku është edhe baza e kompanisë, meqë siç do kuptohej më vonë, një pjesë e këtyre makinave supozohej se ishte e destinuar për ambasadën dhe konsullatat e Kosovës në këtë shtet.

Derisa me 10 dhjetor veç u bë e mundshme blerja e veturave , me 11 dhjetor, një ditë më vonë, kishte filluar kjo procedurë.

Në procesverbalin prej 63 faqesh, të siguruar nga Albanian Post, katër zyrtarë të MPJD-së ishin takuar me përfaqësuesin e Kompanisë Porsche në Zagreb, Lluka Brodiç.

Brodiç, nuk është ndonjë shitës i kompanisë, ai është vetë pronari, një biznesmen kroat, i afërt me ambasadën e Kosovës në Zagreb.

Zyrtarët e Kosovës do takoheshin me këtë biznesmen në ambientet e Ambasadës ne kryeqytetin kroat.

Madje, siç tregon ky procesverbal, këtë blerës e kishte propozuar vetë ambasada.

“Komisioni bëri hapjen e Ofertave të pranuara nga Ambasada në Kompaninë Porsche në Zagreb, në orën 10:30”, thuhet në procesverbal.

Procesverbali

Aty shkruhet se në ofertë ishin veturat që i plotësojnë “kushtet dhe specifikat e kërkuara”, por siç do kuptohej më vonë nga blerja e automjeteve; tri Audi A4 dhe dy Passat, asnjë prej tyre s’do të ishte përkitazi me kriteret fillestare ( specifikat e veturave nuk përputhen me tenderin përcaktues).

Në të njëjtin procesverbal ka edhe pjesë qesharake ku shpjegohet se si zyrtarët e Kosovës kishin kërkuar të paktën goma të tjera, por Brodiç s’ua kishte dhënë.

“Duke marrë parasysh se në ofertën e dhënë nga përfaqësuesit e Kompanisë në fjalë, shpjegohet se veturat janë me goma të stinës verore, Komisioni ka kërkuar që të zëvendësohen me goma të stinës së dimrit. Vlen të theksohet se edhe pas shumë përpjekjeve përfaqësuesi i Kompanisë thekson se kjo kërkesë është e pamundur të realizohet nga Kompania e tij”, shënohet në procesverbal të blerjes.

Procesverbali

Veturat u blenë, porse ku do dërgoheshin se kishte kush idenë.

Në një tjetër shkëmbim e-mailash të zyrtarëve të MPJ-së shihet se asnjë prej tyre nuk e ka të qartë se ku do shkojnë makinat dhe as për kë janë blerë.

Zyrtarja me emrin Shefkinaze Vllasaliu i shkruan zyrtarit Luan Jusufi duke i kërkuar atij ndonjë listë me nevojat qe ambasadat kanë për vetura.

“Ju lutem”, shkruan ajo, “dërgoni listën e Ambasadave-Konsullatave ku duhet të drejtohen veturat…”.

Fatkeqësisht, as Jusufi s’e di ku ka nevojë e as ku do dërgohen.

Ai i thotë se megjithatë po i bëjnë një listë paushallë dhe “varësisht se sa vetura do të blihen do të furnizohen me vetura MKD-të e renditura më lartë në listë…”.

Emailat brenda ministrise

Në një situatë të zakonshme dhe procedurë normale, se ku do të shkojnë veturat do të ishte e përcaktuar qysh në kërkesën fillestare për nevojnë e tyre. Por, në këtë rast, meqë s’kishte pasur kërkesë fare, as nuk dihej se ku do përfundonin ato.

Siç kishte nisur, ky proces edhe do përfundonte krejtësisht në parregullsi.

Në një tjetër e-mail që ka siguruar Albanian Post zyrtari i ministrisë Semedin Thaqi me datën 11 mars të vitit 2022 në orën 2:59 pasdite i shkruante sekretarit Behar Isma se ka pranuar lëndën për ta proceduar për pagesën e veturave, por, tregon ai, në lëndë nuk ka raport të pranimit të mallit.

Ai nuk dinte se si të vepronte dhe kërkonte shpjegime nga Isma.

“I nderuari Z. Sekretar, më lejoni që të ju njoftoj lidhur me lëndën ‘FURNIZIM ME VETURA PER MDK’ të cilat janë porositur në Kroaci, të cilën sot e kam pranuar për ta proceduar për pagesë. Mirëpo në lëndë mungon raporti i pranimit të mallit nga ana e komisionit të pranimit të mallit si dhe vendimi i Sekretarit për formimin e komisionit të pranimit të mallit, çka lë të kuptohet se ky mall nuk është pranuar sipas procedurave ligjore. Për më tepër, unë si zyrtar i pranimit nuk e kam parë mallin fare”.

Veç zyrtarit Thaqi që nuk e ka parë mallin, brenda ministrisë pak kush di të tregojë se ku shkuan këto vetura, por as pse u blenë në krye të herës.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, siç kryesisht ndodh, nuk kanë dhënë përgjigje. (Albanianpost)

Të ngjashme