Sot përfundon afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore

Prishtinë | 30 Gus 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Sot përfundon afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 6 tetorit.

Dy partitë e para që nënshkruan marrëveshje për koalicion parazgjedhor ishin AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Disa ditë më vonë edhe Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli njoftuan se do të garojnë së bashku në këto zgjedhje. Më vonë, koalicionit Nisma-AKR iu bashkuar edhe Partia e Drejtësisë.

Në ndërkohë, një koalicion i mundshëm parazgjedhor është përfolur vazhdimisht ditëve të fundit edhe mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Nominimi për postin e kryeministrit, i ndarë mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, vazhdon të mbetet një problem i patejkalueshëm për krijimin e këtij koalicioni.

Megjithatë, dy liderët partiakë, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, që janë takuar disa herë gjatë këtyre ditëve kanë kohë vetëm deri në mesnatë që të deklarojnë në KQZ nëse do të bëhen bashkë ose jo për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndërkaq, PDK-ja e Kadri Veselit duket, se si rrallë herë, do të shkojë e vetme në zgjedhje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme