Angela Griep, zëdhënëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka treguar për punën e kësaj Gjykate gjatë kësaj jave.
Në konferencën javore, Griep tregoi për ecurinë e konferencës mbi çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila është mbajtur më 23 prill 2025, rapoton “Betimi për Drejtësi“.
Duke folur për ecurinë e konferencës, zëdhënësja tregoi se në prova materiale u pranuan disa dokumente, për të cilat u vërtetua se kanë efekt provues dhe janë relevante.
Gjithashtu, ajo tha se u miratua kërkesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për të pasur qasje në disa dokumente nga çështja e Salih Mustafës, Pjetër Shalës, si dhe e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Griep përmendi edhe afatet që u vendosën lidhur me dorëzimin e mocionit nga ana e mbrojtjes për rrëzimin e ndonjë akuze apo të gjithave në këtë çështje gjyqësore, e po ashtu edhe afatet për përgjigjen e Prokurorisë.
Zëdhënësja e DhSK-së tregoi se mbrojtësi i viktimave ka thënë se synon t’i thërras dy dëshmitarë ekspertë që tashmë i kanë përgatitur raportet e tyre. Sipas saj, mbrojtësi i viktimave ka thënë se njëra nga këto raporte lidhet me dëmin psikologjik dhe psikiatrik, ndërsa tjetra për atë material.
Ndër tjerash, Griep tregoi edhe për vendimin e Kushtetueses ndaj ankesës së Salih Mustafës me pretendime për shkelje të të drejtave të tij dhe Kushtetutës së Kosovës. Si rrjedhojë, ajo tha se është konstatuar se pretendimet e Mustafës nuk qëndrojnë.
Të gjitha seancat në çështjen e Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte janë anuluar dhe seanca e radhës që është e planifikuar është ajo e 15 majit në Apel ndaj Pjetër Shalës.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.