Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka njoftuar se pacientët e diagnostikuar me kancer do të kenë qasje pa pritje në një sërë shërbimesh diagnostike dhe mjekësore.
Sipas njoftimit të spitalit, të gjithë pacientët me diagnozë të konfirmuar të kancerit do të mund t’i kryejnë pa pritje ekzaminimet diagnostike, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT), Rentgenin, Eho-t (ultratingujt) dhe analizat laboratorike.
Nga Spitali thonë se qëllimi i kësaj mase është që pacientëve me sëmundje malinje t’u mundësohet një proces më i shpejtë dhe efikas i diagnostikimit dhe përcjelljes së trajtimit.
Përveç shërbimeve diagnostike, pacientët me kancer do të kenë në dispozicion edhe shërbimet kirurgjike dhe internistike, në të gjitha profilet mjekësore që ofrohen në këtë spital.
Spitali ka bërë të ditur se pacientët duhet të kenë me vete fletë-dëshmi ose dokument mjekësor që vërteton diagnozën e kancerit, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga shërbimet pa pritje.