Ekonomia Online
FUNDIT

Andy Burnham shpall sanksione të reja ndaj 10 kompanive kryesore ruse të naftës në Dublin

Andy Burnham shpall sanksione të reja ndaj 10 kompanive kryesore ruse të naftës në Dublin

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sanksione ndaj dhjetë kompanive kryesore ruse të naftës. Kjo masë e re do të bëhet publike nga kryeministri britanik, Andy Burnham, gjatë pjesëmarrjes së tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në Dublin të Irlandës.

Në kuadër të kësaj pakete, Londra ka miratuar masa që përfshijnë anijet e flotës së ashtuquajtur “fantazmë”, të cilat transportojnë naftën ruse në mënyrë të paligjshme. Lista e sanksioneve përfshin gjithashtu kompaninë ruse të naftës Slavneft, si dhe projektin kryesor të naftës dhe gazit në Arktik të gjigantit Rosneft, të njohur si LLC Vostok Oil.

Gjatë samitit, Burnham pritet t’u bëjë thirrje liderëve të rreth 50 vendeve pjesëmarrëse që të shtojnë presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Qëllimi i kësaj thirrjeje është që Moska të angazhohet seriozisht në negociatat për paqen në Ukrainë.

Duhet të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm”, deklaroi Burnham. Ai theksoi se sanksionet synojnë të kufizojnë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe të shtojnë presionin ndaj Kremlinit për t’i dhënë fund luftës.

Kryeministri britanik mbërriti në Dublin të enjten pasdite, pas pjesëmarrjes në konferencën e OKB-së për klimën, COP31, që u mbajt në Turqi. Ndërkohë, Burnham ka rihapur debatin mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, ndërsa po përgatitet për samitin Britani e Madhe-BE, që do të zhvillohet të premten e ardhshme në Bruksel.

Të ngjashme