Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve nisi edicioni i 5-të i festivalit “Fest Folk”, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë për qytetin e Elbasanit.
Fest Folk nisi edicionin e 5-të në qytetin e Elbasanit

Për katër net me radhë ky festival do të bashkojë 25 shkolla dhe rreth 600 fëmijë në një festë të këngës, valleve, kostumeve popullore dhe ngjyrave të folklorit shqiptar. Nata e parë solli emocione dhe energji në Sallën e Koncerteve, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore përcillet më së miri kur bëhet pjesë e edukimit dhe formimit të brezit të ri.
Bashkia Elbasan, e cila mbështet këtë aktivitet, bëri të ditur se vijon t’i kushtojë një vëmendje të veçantë promovimit të kulturës dhe trashëgimisë folklorike, duke krijuar hapësira ku fëmijët mund të shprehin talentin e tyre dhe të njihen me traditat shqiptare.
Festivali do të vijojë edhe në tri netët e ardhshme, deri në finalen e madhe të 20 nëntorit, duke e kthyer Elbasanin në një skenë të bukur të traditës, talentit dhe trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

















