Sqarohen arsyet e mosanëtarësimit të KOSTT-it në ENTSO-E

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 15:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik u diskutua lidhur me procesin e mosanëtarësimit të NP KOSTT-it në Rrjetin e Operatorëve të Transmisionit të Energjisë Elektrike për vendet e BE-së (ENTSO).

Përfaqësuesi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Halit Hoxha ka sqaruar arsyen e këtij mosanëtarësimi. Ai ka thënë se ENTSO-E-ja kishte propozuar që Hidrocentrali i Ujmanit të kontrollohej nga Serbia, propozim që KOSTT-i nuk e kishte pranuar, raporton Ekonomia Online.

“Pas shumë propozimeve që Serbia i ka bërë, por që kanë qenë kundër marrëveshjes, KOSTT-i ka dalë me një propozim të përkohshëm. Më vonë ENTSO-ja ka nxjerrë një propozim të cilin e ka futë në votim. Ky propozim ka pasë një anë pozitive, de facto e njeh KOSTT-in në operim, si zonë të pavarur rregulluese. Por e ka pasë një problem tjetër, që Gazivoda lihet për skedulim. Kjo ka qenë arsyeshmëria dhe keqkuptimi më i madhi që Kosova nuk po bën presion, nuk i ka thirrë palët e tjera dhe KOSTT-i menjëherë për shkak të kësaj pike e ka refuzu. Pra, propozimi i cili është hudhë në votim nuk është refuzu vetëm nga pala e Serbisë. Është refuzu edhe nga ne”.

Ilir Shala, drejtor i NP KOSTT-it, ka treguar se marrëveshja politike e vitit 2013 për energji përmban edhe pikën ku thuhet se pjesa e konsumit në veri mbulohet nga Elektro Server Company.

“Marrëveshja politike për energji e nënshkruar në vitin 2013 përmban edhe pikën kryesore që pjesa e konsumit në veri do të furnizohet apo do të mbulohet nga Elektro Server Company që do të ishte regjistruar deri më tash si kompani konform legjislacionit. Në këtë kontekst, në vitin 2015 është nënshkruar marrëveshja për kyçjen me ENTSO-n, ku KOSTT-i ka qenë nënshkrues”.

Sipas Shalës, ky votim nuk ka të bëjë me anëtarësimin e KOSTT-it.

“Ky votim që është hudhur nga ENTSO nuk ka të bëjë me anëtarësim të KOSTT-it. Ka të bëjë me një zgjidhje të përkohshme me qëllim të ndaljes të devijimeve ndaj interkoneksionit”.

Shala ka thënë se borxhi total për devijimet e KOSTT-it i përkthyer në euro i bie 11.5 milionë euro.

“Këto devijime që janë shkaktuar në mënyrë të paqëllimshme janë shkaku i konsumit në pjesën veriore. Deri më tash borxhi total për devijimet që i ka KOSST-i sillen diku 224 gigavatorë deri më dje që kur përkthehen në euro janë diku 11.5 milionë euro”.

Arsim Janova, drejtor në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) u zotua se në momentin që kompania Elektro Server aplikon për licencë, ata do t’ua lëshojnë atë.

“Zrrë është tu e marrë parasysh rëndësinë e këtij procesi. Është zotu që brenda 7 dite edhe pse kemi afat më të gjatë, në momentin që kompania ElectroServer aplikon për licencë dhe prej momentit kur i ka komplet dokumentat, ne jemi zotu që brenda 7 dite do ta lëshojmë licencën”.

Dardan Sejdiu i bëri tri pyetje drejtorit të KOSTT-it lidhur me licencimin e Elektro Serverit.

“A është marrëveshja e vitit 2018 baza për çka po bisedohet sot? Pra, marrëveshja lidhur me energjinë. A ka apliku EPS-i në gusht 2015 sipas marrëveshjes për regjistrim të Elektro Serverit në Kosovë? Nëse ka apliku, pse nuk është bërë regjistrimi në atë kohë? A është EPS-ja pronar 100% i Electroseverit? Pra a është një ndërmarrje publike serbe  pronare e një ndërmarrjeje në Republikën e Kosoves? A paguhet rryma në veri diku dhe nëse paguhet a i keni informacionet se kujt i paguhet kjo rrymë”.

Kurse pyetjet e Glauk Konjufcës drejtuar drejtorit të KOSTT-it lidheshin me mundësinë e pavarësisë së KOSTT-it si zonë rregulluese e pavarur operative.

“Si e mendoni çështjen e zgjidhjes së pavarësisë së KOSTT-it në përgjithësi si zonë rregulluese e pavarur operative dhe në cilin regjistër të problemit e shihni ju zgjidhjen në nivel të pastër politik sa i përket veprimit në veriun e Kosovës?”

Lidhur me pyetjen e Sejdiut se a ka aplikuar EPS-i në gusht 2015 për regjistrim të Elektro Serverit në Kosovë, drejtori i KOSTT-it, Ilir Shala tha se aplikimet e para kanë qenë jo konform kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Aplikimet kanë qenë jo konform kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës. Aplikimi i fundit ka qenë pak a shumë më në rregull. Ishte dashtë që përfaqësuesit e tyre të pyeten më shumë për këtë pyetje”.

Shala tha se pala serbe në veri e paguan rrymën, por se nuk e di se ku shkojnë paratë.

“Sa i përket pagesës së rrymës në veri, sigurisht që njerëzit në veri e pagujnë atë rrymë. Por se ku shkojnë ato pare është enigmatike, që për mu është shumë shqetësuese dhe e papranueshme forma e veprimit të tyre”.

Lidhur me pyetjen e Konjufcës për çështjen e zgjidhjes së pavarësisë së KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese,  Shala tha se propozimet e krijuara nga ta nuk kanë pasur sukses.

“Kemi provuar që edhe këtë marrëveshje ta sensibilizojmë në kuptimin e zgjidhjes më të konvenueshme të KOSTT-it, mirëpo të bëhet një marrëveshje tjetër vetëm në aspektin teknik në këto rrethana…ne kemi dhënë disa propozime mirëpo nuk na kanë ecë para”.

Të ngjashme