Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon se në fshatin Dollc të komunës së Klinës, rreth orës 2:05 min, katër zyrtarë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prej tyre një prokuror, kanë pësuar aksident trafiku.
Në një një komunikatë shtypi, Kryeprokuroria nën të ditur se në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Pejës janë liruar për trajtim në shtëpi. Ngasësi i makinës ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë.
Mediet kanë raportuar se Sulejmani është dërguar në Beograd, në gjendje të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur me veturë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, derisa zyrtarët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ishin duke u kthyer nga një organizim i mbajtur në Gjakovë, me rastin e fundvitit, për të gjithë stafin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit pret përfundimin e hetimeve për të kuptuar shkakun e ndodhjes së aksidentit.