Sulmi me një të vdekur dhe pesë të plagosur në Tiranë, policia jep shpërblim 20 mijë euro për këdo që ndihmon në kapjen e autorëve

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Policia e Tiranës ka zbardhur sot dinamikën e të gjithë ngjarjes së rëndë të ndodhur një natë më parë në Tiranë, ku një grua mbeti e vrarë dhe pesë persona të tjerë mbetën të plagosur me armë zjarri, si pasojë e një sulmi në një lokal në zonën e Don Boskos.

Policia bën me dije se ofron një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifikimin e autorëve.

Sipas njoftimit të policisë, autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit F. M., dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit.

Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit shtetasi F.M, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Ndërkohë, policia ka vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 0694111546 për të referuar çdo informacion të vlefshëm.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:05. E vrarë mbeti shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjekësore, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Të ngjashme