Surroi: Po të isha deputet, do ta kisha të vështirë të flija sonte

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 20:37 | Nga Ekonomia Online

Publicisti Veton Surroi, duke iu përgjigjur pyetjes se a është Kosova e sotme ajo që e kemi ëndërruar 21 vjet më parë, kur NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake serbe, tha se në kuptimin që jemi në gjendje paqeje e që nuk na trokasin në derë policia dhe ushtria serbe, Kosova është ajo që e kemi ëndërruar.

Por shtoi se nuk është ai vendi që do duhej të ishte 21 vjet pas luftës.

“Jemi në situatë dramatike, dhe jemi duke u përballur me krizën më të madhe që ka njohur shekulli 21, dhe jemi i vetmi vend në botë ndoshta që po gjeneron krizë të brendshme politike në formë të paparë. Në vitin 1999 shtetet e Quinit dërguan avionë për të na çliruar, e sot ato u detyruan të japin një deklaratë që ta mbrojnë Kosovën nga presidenti i vet dhe nga aleatët e tij”, tha Surroi.

Për seancën e paralajmëruar për mocionin e rrëzimit të Qeverisë, Surroi tha se nuk dihet nëse do të përgjigjen të gjithë deputetët për këtë seancë.

“Mocioni është një akt që tregon një masë të madhe të papërgjegjshmërisë të atyre që e iniciuan pasi po merremi me çështje më madhore në këtë kohë, e kjo është çështje dytësore. Është iniciuar një mocion të cilin e miratoi sot Kryesia e Kuvendit. Përkundër kundërshtimit të Quintit dhe demarshit nga ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës, partitë politike vendosën të mbajnë atë seancë. Çdo njeri që merr pjesë në atë mbledhje, do të mbajë përgjegjësi historike. Do të mbahen mend të gjithë, do të mbahet mend Vjosa Osmani për qëndrimin e saj dhe të gjithë të tjerët që e kundërshtojnë këtë mocion. E dyta, mocioni i mosbesimit, çfarëdo që të ndodhë me të, duhet të krijojë një gjendje, pa marrë parassysh se çfarë është vota e mosbesimit. Kosova s’ka mundësi, as luks e as tolerancë politike për të hyrë në kombinime të reja për formim të qeverisë apo arnim të qeverisë. Le të mbetet kjo qeveri me këta ministra, derisa të ketë një mundësi për zgjedhje të reja, deri në verë. Zhvillimet do të jenë dramatike edhe në shëdnetësi, edhe në ekonomi në këtë periudhë, dhe në verë do të dalim të lodhur edhe ekonomikisht, e edhe në aspektin shëndetësor. Por nëse atëherë e shohim se kemi nevojë të hyjmë në zgjedhje, të hyjmë. Por deri atëherë duhet të mbajmë qeverinë siç është”, tha Surroi.

IKSHP rekomandoi që s’janë kushtet per seancë, e Surroi tha se deputetët kanë kohë deri nesër në orën 11:00 të vendosin se a të shkohet tutje a jo me mocionin.

“Po të isha deputet, do ta kisha të vështirë të flija sonte. Po më kërkon partia të votoj e të rrëzoj një qeveri në gjendje të jashtëzakonshme. Është e vërtetë se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë punën në situatë normale, sepse ka mosbesim, por kur të vjen koha për zgjedhjen e qeverisë së re, duhet votuar këtë mocion”, theksoi Surroi

Të ngjashme