Sveçla e tre deputetët e VV-së deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

Prishtinë | 26 Mar 2024 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Drita Millaku dhe Fitore Pacolli iu është parashkruar vepra penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në gjykimin që po mbahet të martën, gjykatësi Sabit Sadikaj tha se vepra penale pretendohet se është kryer më 21 mars 2017, ndërsa është parashkrimi ka arritur më 21 mars 2024, shkroi “Betimi për Drejtësi”.

Gjykimi ndaj tyre po vazhdon për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa u deklaruan të pafajshëm për këtë vepër.

Deklarimin rreth fajësisë, ministri dhe deputetët e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.

“Deklarohem si e pafajshme, kam vepruar në përputhje me betimin që kam dhanë si deputete e Kosovës, që punoj për interes të vendit tim”, është shprehur Pacolli.

Pasi njoftuan se nuk e pranojnë fajësinë, Sveçla, Zyba, Millaku e Pacolli u njoftuan se brenda afatit ligjore mund të bëjnë kerkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët e partisë në pushtet po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.

Të ngjashme