Syla: Shkaku i raporteve jo të mira me SHBA-në, s’ka njohje të reja – Anëtarësimi i Serbisë në NATO, përmirëson raportet me Kosovën

Prishtinë | 23 Mar 2024 | 08:32 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë për Ekonomia Online se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka raporte normale me as një shtet.

Syla ka deklaruar se anëtarësimi i Serbisë në NATO do të mundësonte që të përmirësoheshin raportet e Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se qeveria për fat të keq nuk ka raporte të mira as me liderët rajonal, e as qeveritë rajonale, duke përmendur këtu mos takim e Kurtit më kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Të them të drejtën duhet me lodh kokën goxha shumë me pa një raport të mirë që është duke ndërtuar qeveria e Kosovës me ndërkombëtarët, përkatësisht me miqtë, me aleatët e Kosovës. Kur flasim për miqtë e aleatët e Kosovës, ShBA-të dhe vendet Evropiane të cilat në vazhdimësi kanë qenë në përkrahje të kauzave të shqiptareve, kauzave të Kosovës, ma thuani një shtet në të cilin qeveria e Kosovës aktualisht ka raporte normale. Me ShBA-në nuk ka raporte normale absolutisht jo, është thënë disa herë nga zyrtarët e shtetit Amerikanë, në anën tjetër për me keq kjo qeveri nuk ka raporte të mira as me liderët rajonal, as qeveritë rajonale”, ka thënë Syla.

“Kemi fatin e mirë që në përfaqësuesit e qeverive rajonale për herë të parë, përfaqësuesit e qeverisë se Maqedonisë së Veriut, kemi një shqiptarë Talat Xhaferi, i cili për çudi ende deri më sot nuk është pritur nga kryeministri ynë Albin Kurti. Mos të flasim për raportet e kryeministri tonë me kryeministrin e Shqipërisë, për këto bashkëfajtor i bëjë të dy për shkak të protagonizmit dhe kryeneçësisë së dy anshme. Ne jemi në situatë shumë të brishtë, në situatë shumë fragjile ndërkohë që jemi totalisht fare pa miq, fare pa miq Kosova nuk është dhe nuk ka qenë as një herë, mirëpo kjo qeveri aktualisht nuk është duke ndërtuar raporte normale as me opozitën. Cili personalitet, cili institucioni i cili nuk është i subordinuar ndaj kryeministrit tonë, e më të cilin kryeministri ka raporte normale, ma thuani ju”, pyeti Syla.

Syla ka thënë se nuk është fare optimist se Kosova do të anëtarësohet në Këshillë të Evropës përderisa ka kësi raporte të tendosua me aleate e Kosovës.

Ai ka kritikuar edhe deklaratën e Kurtit kur ka folura për raportet me ShBA-të dhe ka thënë se “Për të marrë duhet edhe për të dhënë”.

Syla tha se SHBA-ja e ka bërë shtet Kosovën dhe është duke i ruajtur kufijtë e saj. Ai ka pyetur Kurtin se çka i ka dhënë ai me këtë rast Amerikës.

“Pra të gjitha të arriturat e shteti të Kosovës janë bërë në bashkëpunim me aletet  e Kosovës, me ShBA-të së pari pastaj edhe me aleatet evropian. Siç po e shihini ka disa muaj që ne jemi duke vendnumëruar si vend, përfshirë këtu edhe sanksionet e BE-së, si dhe pavarësisht premtimeve që kemi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, un druaj shumë dhe nuk jam fare optimist se Kosova do të aderoj në KiE, derisa ka kësi raporte të tendosur me aleatët e Kosovës. Mos harroni se të gjitha etapat e shtetbërjes tonë që nga koha e Rambujesë, por edhe para Rambujesë e deri te shpallja e pavarësisë. Të gjitha proceset ne kemi bashkërrugëtuar me aleatët tanë dhe kemi pasur sukses”, u shpreh Syla.

“Tash ne jemi në një situata, dëgjova kryeministrin duke i dhënë definicioni e fjalës marrëdhënie, se çka do të thotë marrëdhënie, këtu e kishte fjalën për raportet tona me ShBA-të dhe thoshte ‘Për të marrë duhet edhe për të dhënë’. Unë e kam një pyetje për kryeministrin, i listova këto që i kemi marr nga SHBA-ja, do të thotë na kanë bërë shtet, na kanë fuqizuar sovranitetin, na ruajt kufijtë, mirëpo çfarë i kemi dhënë ne SHBA-së. Sepse unë nuk e di dhe shumica e qytetarëve nuk e din se çfarë ne i kemi dhënë Amerikës, le të na shpjegoj ai ne se çfarë i ka dhënë ai Amerikës që po e konsideron vetën partner të barabartë me ShBA-në”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se si shkak i raporteve jo të mira më SHBA e partneret ndërkombëtar, Kosova sot nuk ka as njohje të reja.

Ai ka kërkuar edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që të ketë kujdes në deklarimet e saj për ambasadorin e ShBA-së në Serbi.

“Kur jemi te njohjet e reja dhe keni të drejtë që përmendet. Njohja e fundit është njohja e Izraelit. Njohja e Izraelit ka ndodhur në zyrën Ovale në Washington, do të thotë në prani të ish-presidentit Trump. Gjithçka lidhet, çdo raport ndërkombëtar i Kosovës lidhet më ShBA-në këtë duhet ta kuptojmë deshëm apo nuk deshëm ne ky është fati jonë edhe shyqyr që e kemi këtë fat. Momentin që ne kemi përkeqësuar raportet me ShBA-të në nuk kemi më as një njohje të re. Me këtë rast dua të ngrejë një vërejtje dhe një këshill po ashtu edhe për presidenten e Kosovës e cila në deklarata e saj duhet të jetë më e matur kur fletë për deklarata e ambasadorit Hill në Beograd”, u shpreh tutje Syla.

Ndërsa anëtarësimin e Serbisë në NATO, Syla e sheh të mirëseardhur edhe për Kosovës, pasi sipas tij do të shkëputej influenca ruse në Serbi. Thotë se me këtë anëtarësim do të përmirësoheshin edhe raportet Kosovë-Serbi.

“Shikoni bota nuk sillet rreth Kosovës, ne jemi një pikë ujë në oqean dhe raportet ndërkombëtare janë shumë, shumë më të rëndësishme se sa ajo se çka sillet rreth nesh. Duhet ta kemi parasysh sepse anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte hap gjigand për të gjithë aleatët e Kosovës sepse kësisoj pavarësisht raporteve të tensionuar që i kemi me Serbinë, me anëtarësimin e Serbisë në NATO, Serbia përfundimisht do të shkëputej nga influenca e Rusisë. Shkëputja e Serbisë nga influenca e Rusisë do të thoshte edhe përmirësim i raporteve të Kosovës me Serbinë, fatkeqësisht ajo nuk do të ndodh, sepse historikisht dihet se Rusia i ka rrënjët thellë në Serbi. Liderët politikë duhet të kenë shumë kujdes në deklaratat e tyre rreth kritikave për faktorin ndërkombëtar”, u shpreh Syla.

Të ngjashme