Tahiri: E papranueshme të mos tregohet vlera e koeficientit, duhet të jetë 129 euro

Prishtinë | 07 Jan 2023 | 12:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë dhe Presidenten për Ligjin e Pagave, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie, Tahiri thotë se po vazhdon të mbahet sekret vlera e koeficientit dhe sipas tij, një gjë e tillë është e papranueshme. Tahiri thotë se vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndryshe sipas tij, do të ketë rënie drastike të pagave.

Tahiri tha se kontestimin e këtij ligji kanë mundur ta bëjnë vetë me nënshkrime, mirëpo, sipas tij, arsyeja e vetme pse s’e kanë bërë këtë, lidhet me faktin se nuk e kanë ditur vlerën e koeficientit.

“Kalon edhe një mbledhje e qeverisë edhe pasi ligji për pagat është nënshkruar nga presidentja e vendit dhe vazhdon të trajtohet në mënyrë sekrete, jo transparente vlera e koeficientit, është e papranueshme që 80 mijë shërbyes publikë të mos e dinë sa e kanë rrogën e tyre duke e ditur se ekziston një ligj. Është e papranueshme të mos tregohet vlera e koeficientit edhe pasi është nënshkruar nga presidentja”, ka thënë Tahiri në një konferencë për medie.

“Ende vazhdon trajtimi tepër jo serioz e jo i përgjegjshëm që  thotë kryeministri: Valla jemi duke kalkuluar. s’pati kohë ta kalkulojë gjashtë muaj dhe tash duket ta kalkulojë këtë kur është ditur rangimi i koeficienteve para 6 muajsh”, është shprehur ai.

“129 euro koeficienti e shpëton ligjin, përndryshe ligji do të kontestohet… Aleanca s’e ka qëllim ta rrëzojë, sepse po u rrëzua kthehet prej fillimi, mirëpo shpëtimi i ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese e ka 129 euro vlera e koeficientit”, ka shtuar Tahiri.

“Qëllimi i AAK-së nuk është ta rrëzojë ligjin, sepse është shumë i vështirë ta bësh, mirëpo konsultimi për këtë ligj kurrë nuk ka qenë më i dobët”.

Të ngjashme