Deputetët e opozitës kanë mbajtur një konferencë për media para RTK-së, pasi transmetuesi publik nuk transmetoi në kanalin zyrtar seancën e jashtëzakonshme që përfundoi pak më parë.
Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së tha se ai që e ka dhënë këtë urdhër duhet të jep llogari.
“Duhet të jep llogari ai urdhëruesi që po na ngon televizor dhe është dashtë me ardhë këtu me na tregu pse e ka nalë transmetimin e drejtpërdrejtë…kjo është tendencë me e mbytë fjalën e lirë”, ka thënë Tahiri,
“Institucioni prapa është RTK i themeluar nga Kuvendi dhe ky institucion i jep llogari deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor dhe kushtetues që duhet ky institucion t’i transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit…Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj Qeverie, ndalet për fjalimin e kryeministrit që ishte nëë një konferecncë, tregon shumë drejtë, e shpërfytyron regjimin e Kurtit se dojnë me ndalë fjalën, debatin, argumentin”.
Ndërsa Armend Zemaj, deputet i LDK-së ka krahasur këtë veprim me kohën kur okupatori serb kishte mbyllur Radiotelevizionin e Prishtinës.
Ai shtoi se mostransmetimi i seancës do të thotë mbytje e zërit të qytetarit dhe fshehje e së vërtetës.
“Kapja e këtij institucioni e ka për qëllim devalvimin e vlerave në shoqëri dhe mbytjen e demokracisë. Sot është kulmi i pafytyrësisë edhe të asaj pak shprese që ka mbetë që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe t’i kryejë detyrat dhe autorizimet ligjore sipas moralit dhe ndershmërisë. Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK që nënkupton mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta të cilat po ndodhin nga skandalet e shpërfaqura çdo ditë për afera korruptive dhe kjo do të thotë që mbytet edhe zëri i qytetarit përmes përfaqësimit që ka deleguar në Kuvendin e Kosovës.
“…Kjo nuk duhet të lejohet, kjo duhet të parandalohet dhe demokracia në Kosovë nuk mund të mbytet. Nëse dikush mendon dhe logjikon të udhëheqe me parapolitikën, kjo i takon kohës kur regjimi serb i ka mbyll dyert në Radiotelevizionin e Prishtinës”.