Tahiri: Paga minimale duhet të jetë 400 euro shkaku i inflacionit, të kalojë dhe Ligji për Pagat

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 13:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që sa më parë të merret vendim për rritjen e pagës minimale, e që sipas tij ajo duhet të jetë 400 euro, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se për grupin parlamentar të AAK-së brenga kryesore është mosreflektimi i Qeverisë në temat që lidhen me mirëqenien e qytetarëve: me ekonominë dhe varfërinë të cilat janë problemi kryesor.

“Përderisa nocioni luftë ekonomike është duke u trajtuar gjithandej botës, në Kosovë, Qeveria e cila e ka shumicën absolute, e trajton problemin ekonomik dhe aspektin e varfërisë me prioritetin zero. Ka një mosreflektim total dhe ka një sjellje të zakonshme në një situatë shumë të jashtëzakonshme”.

Tahiri përsëriti kërkesën e Aleancës për rritjen e pagës minimale, si dhe miratimit të Projektligjit për Pagat.

“Ngritja e pagës minimale duhet të kalojë nga diskutimet në tryeza dhe punëtori, në vendim të Qeverisë. Kërkesa jonë ka qenë që paga minimale të jetë 400 euro. Në qoftë se një punëtor e ka pasur pagën 270 euro, sot vlera e saj është 170 euro, për shkak të inflacionit të madh”.

“Kërkesa e dyt ëka të bëjë me legjislacionin që e rregullon këtë çështje, në veçanti për Ligjin e Pagave. Në qoftë se nuk kanë mundësi dhe instrument për subvencionim, atëherë kanë mundësi të marrin vendime”.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional, Tahiri theksoi se nuk janë kundër vendimeve të tilla që lehtësojnë jetën e qytetarëve, por se gjendja ekonomike në vend nuk mbahet mend që ka qenë ndonjëherë më e vështirë dhe më e keqe.

“Kjo vjen për shkak të situatës së konfliktit global (Rusi-Ukrainë), mirëpo edhe për shkak të mosveprimit të Qeverisë së Kosovës”.

“Pra, kërkesa jonë është e thjeshtë: me një vendim ta rrisin pagën minimale me 400 euro dhe ta sjellin Ligjin e Pagave për miratim në Kuvend. Këto dy masa automatikisht e lehtësojnë jetën e qytetarit dhe pastaj të marrin veprime tjera siç është tërheqja e mjeteve nga Trusti”.

Tahiri është pyetur nga gazetarët të japë një vlerësim për Qeverinë Kurti 2, e cila u votua para një viti (më 22 mars 2021).

“Vlerësimi ynë për një vit qeverisje është: Fjalë të bukura, shumë zhurmë e punë aspak”, u shpreh shefi i deputetëve të AAK-së.

Të ngjashme