Takim bilateral ndërmjet ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Kroacisë, në fokus fusha e logjistikës

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral, sipas planit të përbashkët bilateral, më 14 dhe 15 maj 2024 në Kosovë është realizuar takim bilateral mes udhëheqësve të J-4 të Kosovës dhe Kroacisë.

Delegacionit të Kroacisë i ka prirë Gjeneral brigade Jozo Matkoviç, shef i Drejtorisë së Logjistikës në SHP të forcave të armatosura kroate.

Ndërsa delegacioni është pritur nga drejtori i Drejtorisë së Mbështetjes, Zijadin Bajçinca, dhe nga drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë i MM-së, kolonel, Imer Avdiu.

Sipas një postimi të ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, fokusi i vizitës ka qenë në fushën e logjistikës.

Nga ana e MM-së është prezantuar funksioni dhe sistemi i Logjistikës në nivelin Strategjik, Operacional dhe Taktik.

Gjatë vizitës, përveç ministrisë së Mbrojtjes është vizituar Departamenti i Logjistikës në SHPFSK, si dhe komanda e logjistikës. Ndërsa delegacioni kroat nga këndvështrimi i logjistikës ka shpalosur përvojat e tij lidhur me kriteret dhe kërkesat që duhet përmbushur për anëtarësim në NATO.

Gjithashtu, delegacioni kroat ka ndarë përvojat e tij në zbarkimin e trupave për misione të ndryshme, si dhe menaxhimin dhe standardizimin e pajisjeve.

Në fund, të dy palët janë pajtuar se bashkëpunimi i ndërsjellë në fushën e logjistikës në mbështetje të qëllimeve të përbashkëta është i nevojshëm dhe frytdhënës për të dyja palët, dhe rrjedhimisht duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Të ngjashme