Takimet “sekrete” – analistët i quajnë normale, mund ta ndihmojnë marrëveshjen finale

Prishtinë | 24 Dhj 2022 | 09:02 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Takimet “sekrete” që u mbajtën në Zvicër ndërmjet grupeve parlamentare të Kosovës dhe Serbisë, po konsiderohen si normale dhe po quhen si procese paranegociatore. Si të tilla, sipas njohësve të çështjeve politike, këto takime ndodhin për shkak se krerët e shtetit nuk janë të gatshëm të ulen në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje të mundshme finale, raporton Ekonomia Online.

Pjesëmarrës në këto takime ishin edhe nga partia në pushtet, e madje edhe nga vetë Qeveria, si dhe nënkryetarët e partive të opozitës si dhe përfaqësues nga Serbia.

Sipas profesorit universitar, Ibrahim Gashi, thotë se kur palët janë larg në pozicione, ndërmjetësit ndërkombëtarë ftojnë këso lloj takimesh. Thotë se përfaqësuesit ndërkombëtar janë të interesuar që ta zgjidhin sa më shpejt procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne kemi përpara vetes një sfidë të madhe, pra një marrëveshje të rëndësishme për të dy popujt për të dy shtetet pra si për Kosovën si për Serbinë dhe unë mendoj që të gjithë ndërmjetësit ndërkombëtare të gjitha shtetet mike po edhe aleate janë të interesuar që të lëvizet drejtë asaj marrëveshje. Duke i parë ndonjëherë palët, duke i parë pozicionet e largëta të palëve ndodhin edhe kësi bisedime sekrete që munden me u quajt si paranegociata, përkatësisht munden me u quajt si një proces i përgatitur për negociata rreth tryezës së rrumbullakët”, thotë Gashi.

“Pra kështu në diplomaci definohen kur palët nuk janë të gatshme me u ulë drejtpërdrejtë, niveli më i lartë nuk është i gatshëm me u ulë në tavolinë me fol për një marrëveshje  konkrete atëherë ndodh një proces paranegociator që ka për synim me i përafrua palët, me i definu temat e agjendës që do të bisedohen, me definu kohën kur do të fillojnë bisedimet, me definu vendin ku do të zhvillohen ato bisedime me definu ndërmjetësit që do të jenë palë fasivituese në ato bisedime dhe unë mendoj që këtë rol mund ta kenë pasur këto negociata si të tilla”, thotë tutje Gashi.

Gashi ka marrë shembull marrëveshjen ndërmjet Kinës dhe ShBA-së që ndodhi në vitet e largëta, kur pikërisht kjo marrëveshje ishte arritur falë këtyre takimeve të fshehta.

Gashi thotë se takimet e tilla mbahen edhe gjatë kohës së krizave. Ai konsideron se takimet e tilla “sekrete” nuk përfundojnë me marrëveshje as me ndonjë vendim.

“Takime e fshehta psh. një diplomaci e fshehtë është bërë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillimi të viteve të ‘70-ta derisa palët janë përafru në qëndrimet e tyre që ta bëjnë publike rezultatet e atyre bisedimeve. Takimet  e fshehta mund të ketë edhe kur ka luftë, sepse palët janë në pozicione shumë të largët dhe tash një grup që nuk është drejtpërdrejtë bartësi institucioneve qeveritare të dy palëve por që është i përbërë prej pjesëtarëve të shoqërisë civile, prej pjesëtarëve të partive opozitare mund të bisedojnë thjeshtë për t’i parë pozicionet e secilës palë dhe për të provuar me i përafru ato në mënyrë që me i përgatit mundësin, terrenin dhe mundësinë për një takim në nivelit zyrtar. Pra nuk mendoj që ka diçka të keqe sepse këto takime nuk përfundojnë me marrëveshje as nuk përfundojnë me vendim. Këto përfundojnë thjeshtë me disa rekomandime për palët përkatësisht për zyrtarë se është mirë të i ndjekin ato rekomandime për të shkuar drejtë një marrëveshje”, thotë Gashi.

Ndërsa analisti politik, Dritëro Arifi e sheh më shumë si takim këshillëdhënës apo rekomandues.

Për Ekonomia Online, Arifi thotë se nga këto takime, ndërmjetësuesit i finalizojnë idetë e tyre për një marrëveshje finale. 

“Po është e vërtetë që ka pasur takime në Zvicër, tashmë është konfirmuar nga të gjithë akterët që kanë qenë prezentë, pra janë takime joformale që takohen grupet e ndryshme të Parlamenteve, sidomos Kosovë-Serbi, pra këto takime më shumë e kanë një rol këshillëdhënës apo rekomandues, nuk është obligative, pra ajo është që institucionet e ndryshme që i financojnë ato për me i matë opinionet e politikbërësve në Kosovë e Serbi dhe që të vijnë dmth ata t’i shpërndajnë idetë e politikbërësit në BE dhe ShBA, që pastaj i rregullojnë politikat apo ato planet e reja që po na vijnë, pra këto idetë e reja që po na vinë pra janë marrë nga këto shkëmbime idesh”, u shpreh Arifi.

Ndërsa thotë se këto takime nuk ndërlidhen me situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet.

Sipas Arifit, bashkësia ndërkombëtare nuk po bën shumë presion te pala serbe për të arritur marrëveshjen finale.

Ai thotë se Serbia po e shfrytëzon situatën në terren, shkaku i vakumit institucional të krijuar në veri të vendit.

“Nuk besoj se ndërlidhet me gjendjen në veri, ndërlidhet më shumë me marrëveshjen finale, sepse Serbia nuk po është e gatshme për marrëveshje finale dhe perëndimi nuk i ka dhënë shumë presion palës serbe që ta detyrojë që ta pranojë realitetin në terren dhe kjo po ndikon për shkak se pala serbe po e shfrytëzon atë vakumin institucional që është krijuar në veri, që kinse ai integrimi i serbeve nuk dha rezultat, por këtë duhet parë edhe në një perspektivë pozitive, sepse të gjitha Qeveritë e Kosovës nga viti 2013 e deri te Qeveria Kurti 2, kanë qenë më liberale dhe i kanë mbyllur sytë për disa detaje të vogla anti-ligjore në veri, por serbët e manipuluar nga Beogradi, nuk po dëshirojnë të kenë normalitet në veri dhe po dëshirojnë ta krijojnë një fotografi të rrejshme që kinse Qeveria e Kosovës është agresive në raport me serbët në atë pjesë”, tha ai.

Të ngjashme