Të gjeturat në raportet e Auditimit, mundësi për hetim nga Prokuroria  

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 08:26 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shkeljet e evidentuara në raportet e publikuara nga Auditori i Përgjithshëm mund të jenë indikacion për fillim të hetimeve nga prokuroria për keqpërdorime të ndryshme nga institucionet lokale e qendrore.

Zëvendësauditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ndonëse nuk flet me shifra, thotë se kanë bashkëpunim me Prokurorinë.

Ai tha për Ekonomia Online se të gjeturat e tyre nuk paraqesin kallëzime penale të drejtpërdrejta, por mund t’u shërbejnë organeve të drejtësisë.

“Ne i bëjmë të gjitha raportet publike, kështu që organet e drejtësisë burimin e parë të informacionit mund ta marrin nga raportet që bëjmë publike, por më tepër në identifikojmë raste të veçanta të cilat i raportojmë tek organet e drejtësisë”.

“…Njoftimi që ne bëjmë nuk paraqet kallëzim penal në kuptimin klasik, por është një indikacion i rëndësishëm për organet e drejtësisë që ata ndoshta të fillojnë një proces hetimi dhe t’i marrin parasysh ato gjetje që ne i kemi hasë”.

Salihu shton se ka raste kur gjatë hetimeve policia dhe prokuroria kërkojnë informacione ose edhe dokumentacion shtesë.

“Ne bashkëpunojmë edhe me prokurorët, edhe me policinë, gjatë procesit hetimor dhe ka mjaft raste kur kanë kërkuar dokumente shtesë, informata shtesë dhe ne iu kemi ofruar aq sa i kemi pasë në dispozicion”.

Ai tha se rastet me të cilat merret prokuroria janë të shpërndara tek institucione të ndryshme.

“Janë të shpërndara rastet te një numër i caktuar i institucioneve, kështu që unë nuk do të doja të përmendja numër të caktuar të institucioneve, kështu që unë nuk do të dëshiroja të përmendja me emra”.

Sipas tij, edhe pse janë të obligueshme rekomandimet e auditorit, ato nuk përmbushen nga institucionet, ndërkaq tha se nuk ekziston ndonjë mënyrë që mund të kushtëzohen për përmbushjen e tyre.

“Një pjesë e rekomandimeve nga vitet paraprake janë implementuar. Ne si institucion nuk kemi ndonjë detyrim, ndonjë mekanizëm detyrues për institucionet për me i bë me i implementuar rekomandimet. Megjithatë ato e kanë një obligim ligjor me e bë një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Ne shprehim shqetësim disa prej rekomandimeve që janë më të lehta për me u implementuar aty ka ngecje”.

Salihu tha se janë gjetur forma alternative për të motivuar institucionet, e sidomos komunat, të përmbushin rekomandimet që dalin nga Auditori i Përgjithshëm.

“Ne kemi gjetur forma alternative. Ne veç kemi bashkëpunim me partnerët që veprojnë në Kosovë dhe janë dizajnuar tash projekte që kanë për qëllim me i stimuluar komunat kanë bërë një progres në implementimin e rekomandimeve”.

“Është projekti me DEMOS-in që financohet nga taksapaguesit zviceranë, por edhe me USAID-in ka projekte të ngjashme të cilat kanë përcaktuar indikatorë që kanë për qëllim me i stimuluar komunat që kanë përforcuar mirë në zbatimin e rekomandimeve”.

“Si kriter themelor është që komunat të kenë një opinion të pastër të auditorit, mos të kenë opinion negativ dhe më tutje do të përfitojnë më shumë ato komuna të cilat kanë bërë një progres në shkallën e zbatimit të rekomandimeve”, tha ai.

Të ngjashme