Të gjitha kërcënimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe një herë ka “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Kësaj radhe, arsyeja për “gatishmërinë” e tyre për të braktisur këto institucione është, siç kanë thënë ata, “terrori që po kalojnë” dhe për shkak se Prishtina zyrtare nuk po e lejon votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.

Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët “jo vetëm që njëzëri i kërkuan që të largohen menjëherë nga institucionet, por edhe që 435 policë në veri të vendit, t’i lënë armët dhe të largohen nga policia rajonale”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, Vuçiq u kërkoi atyre “durim, tolerancë dhe të numërojnë deri në dhjetë”.

Më 24 mars, Vuçiq po ashtu deklaroi se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më, për shkak të suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës,e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, këmbëngul që Beogradi zyrtar t’i dërgojë Prishtinës një kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohje.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Kurti, thotë se asnjëherë nuk ka pasur qëllim që të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia përmes kërkesës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, por se askush nuk mund të kërkojë nga ai që të mos e respektojë sovranitetin e vendit të tij.

Në një konferencë për media, më 23 mars, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë të ndaluara, por se nuk është arritur marrëveshje mes palëve.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos dalin në protesta, të cilat nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, i ka paralajmëruar për të premten, më 25 mars.

Jevtiq, i cili është gjithashtu kryetar i Komunës së Shtërpcës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, tha se të premten (më 25 mars), serbët në jug dhe në veri të Ibrit do të mbajnë protesta paqësore me mesazhin “askush në shekullin e 21-të nuk i mohon të drejtat themelore të njeriut”.

Nga ana tjetër, Vuçiq tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të çonte në një “rreth vicioz të konflikteve të pafundme të luftës”.

“Disa njerëz (përfaqësues serbë) thanë se janë të gatshëm edhe për konflikte, disa për largim (nga Kosova). Unë u kërkova që të qëndrojnë në Kosovë dhe t’i ruajnë vatrat tona”, tha Vuçiq.

Kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe paralajmëron daljen e saj nga institucionet e Kosovës.

Herën e fundit, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.

Në konferencën për media, Rakiq ka thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, në veri nuk do të ketë njerëz në institucionet e Prishtinës”, tha Rakiq.

Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, por asnjëherë nuk është zbatuar në terren, sepse Kosova beson se do të rrezikojë funksionalitetin e vendit.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen me statut.

Për shkak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përfaqësuesit politikë të serbëve paralajmëruan daljen e tyre nga institucionet e Kosovës, në tetor të vitit 2020, kur drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia do ta shqyrtojë një procedurë të tillë.

Pas deklaratës së Petkoviqit, gjithashtu edhe Goran Rakiq deklaroi se përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë do ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga institucionet. Rakiq asokohe ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte deklaruar se do të largohej nga institucionet e Kosovës nëse ndaj deputetit Ivan Todosijeviq jepet një vendim gjyqësor përfundimtar, për shkak të mohimit të krimit në Reçak.

Todosijeviq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, u dënua me dy vjet burgim për nxitje të “urrejtjes kombëtare”, por në fillim të këtij viti gjykimi u kthye nga e para.

Todosijeviq është aktualisht kryetar i organit të përkohshëm Zveçan, i cili financohet nga Beogradi dhe që autoritetet në Prishtinë e konsiderojnë si institucion paralel dhe të paligjshëm.

Në fund të majit të vitit 2019, gjithashtu pati paralajmërime për tërheqje të serbëve nga institucionet e Kosovës. Drejtori i atëhershëm i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se në takimin e serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë arritur konkluzione, njëra prej të cilave ka të bëjë me largimin nga institucionet e Kosovës.

“Të gjithë përfaqësuesit politikë të popullit serb në territorin e Kosovës, në çdo vend dhe në çdo kohë, duhet të jenë të gatshëm të luftojnë me të gjitha forcat për interesat e popullit të tyre dhe nëse rrethanat politike e kërkojnë këtë, të largohen nga pozicionet”, thuhet në dokumentin me konkluzione.

Më herët, në shkurt të vitit 2019, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se serbët e Kosovës kërkuan nga ai që të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, por ai u “kërkoi që të prisnin 45 ditë”.

Në fund të marsit 2018, serbët nga Kosova njoftuan nga Beogradi se do të largohen nga institucionet e Kosovës dhe se do ta formojnë vetë Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe. Kjo ishte edhe hera e parë që serbët e Kosovës kërcënonin se do të largoheshin nga institucionet dhe kjo u bë pas arrestimit të ish-drejtorit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Pavarësisht të gjitha këtyre paralajmërimeve, asnjëherë nuk ka pasur dalje nga institucionet e Kosovës, por kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2018, për shkak të vendosjes nga ana e Qeverisë së Kosovës të taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Ndërkohë, më 16 janar të këtij viti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se nuk do të ketë më zgjedhje të Kosovës në veri, nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, më 3 prill.

Kosova nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në referendumin serb për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë.

Siç ishte bërë e ditur asokohe, serbët nga Kosova mund të votonin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë, por megjithatë ata e ushtruan të drejtën e tyre në një nga qytetet kufitare të Serbisë.

Sipas njoftimeve të deritashme të presidentit serb, Vuçiq, serbët nga Kosova do të votojnë në të njëjtën mënyrë edhe më 3 prill.

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, beson se Lista Serbe asnjëherë nuk merr vendime si e pavarur, se i mungon autonomia dhe subjektiviteti edhe pse ka “fuqi kushtetuese në krijimin e Qeverisë së Kosovës”.

“Si e tillë, ajo nuk është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme. Ajo është pjesë e një rrjeti specifik të kushteve dhe presioneve të ndërsjella në trekëndëshin ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai konsideron se serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës vetëm kur këtë t’ua kërkojë Aleksandar Vuçiq, gjë që në këtë moment, siç thotë Muhaxhiri, nuk është në interesin e tij.

Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në Kosovë, por, sipas tij, kjo varet ekskluzivisht nga interesat e presidentit serb, Vuçiq, sepse “vetëm ai ka fuqi të krijojë një situatë të tensionuar me udhëzime të drejtpërdrejta”.

“Për shkak të situatës në Ukrainë, nuk është momenti i volitshëm për të bërë diçka të tillë. Përfaqësuesit serbë mund të ngrijnë funksionet e tyre në shenjë proteste, por edhe ky do të ishte gjithashtu një opsion afatshkurtër”, tha Muhaxhiri.

Dushan Radakoviq, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra për avokimin e kulturës demokratike në Mitrovicën e Veriut, tha se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq, duke shtuar se situata është “gjithnjë e më e rëndë”.

Radakoviq thotë se kryeministri i Kosovës, Kurti, vetëm se po i largon institucionet e Kosovës nga serbët, por sërish e konsideron “të pamatur” kërkesën e Listës Serbe për tërheqje prej tyre.

Ai, gjithashtu, thekson se me zhvillime të tilla, Kosova dhe Serbia vetëm sa po largohen edhe nga tryeza e bisedimeve, si dhe nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Disa marrëveshje kanë qenë para nënshkrimit, para së gjithash mendoj për energjinë elektrike në veri, për Vallaqin etj. Ky nuk është vetëm një hap prapa, por pesë hapa prapa. Siç thashë, me vendimet e Qeverisë së Kosovës destabilizohet situata që asnjëherë nuk ka qenë me e keqe mes komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës”, përfundon Radakoviq.

Ai, po ashtu, konsideron se zgjedhjet serbe nuk duhet të ndalohen në Kosovë, sepse kjo “paraqet shkelje të të drejtave të njeriut”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.

Në atë kohë, sipas praktikës së krijuar, misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte mbledhur fletëvotimet.

Kjo praktikë e mbledhjes së votave është krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani ka ekzistuar leja nga autoritetet e Kosovës për një gjë të tillë.

Të ngjashme