Të harruar nga shteti

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Pandemia e COVID-19, pensionistit 79 vjeç, Ilmiut, ia pamundësoi edhe të vetmet aktivitete që kishte në Qendrën e Pensionistëve në Prishtinë: lojën domino dhe atë të shahut.

Të njëjtin fat e kanë të gjithë pensionistët, të cilët para pandemisë së koronavirusit, vazhdimisht kanë vizituar këtë qendër për aktivitete sociale.

Zhvillimi i aktiviteteve sociale jashtë kësaj qendre, për pensionistët është i kushtueshëm, ndërkohë që pensionet e tyre, siç thonë ata, nuk u mundësojnë jetë të dinjitetshme.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë aktualisht janë rreth 200 mijë pensionistë.

Përfaqësuesit e pensionistëve vlerësojnë se qeveritë e deritashme të Kosovës, nuk ua kanë shpaguar kontributin që ata kanë dhënë për ndërtimin e shtetit.

Ilmiu, pensionist nga Prishtina, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi pandemisë dhe masave kufizuese për luftimin e saj, vendtakimi i dikurshëm i tyre, Qendra e Pensionistëve, është mbyllur.

“Qe një vit e gjysmë është mbyllur kjo (Qendra e Pensionistëve). Edhe këtu kanë mundur të bëjnë diçka, të krijojnë distancë, të largojnë tavolinat që të luajmë një lojë shah ta heqim mërzinë, të luajmë një lojë domino të heqim mërzinë”, thotë ai.

Në Qendrën e Pensionistëve në Prishtinë punon vetëm restoranti, aty ku Ilmiu dhe shokët e tij mblidhen dhe kalojnë shumicën e kohës së tyre.

Ilmiu i cili ka punuar në Fabrikën për prodhimin e siguresave “Energoinvest”, si pensionist kontributdhënës merr rreth 190 euro në muaj. Por, këto mjete, sipas tij, janë të pamjaftueshme për një jetë të dinjitetshme.

“Duhet të paguaj ujin, rrymën, tatimet. Kur vi këtu (në restorant) këto kafe është dashur t’i kemi pa pare, por ne paguajmë nga 50 centë kafen. Sot e pi një kafe, sot dy muaj nuk pi më. Këto janë kushtet. Shteti për mua si pensionist nuk ka bërë as sa dy ashkla për ta ndezë zjarrin”, thotë ai.

Dita është e gjatë kur nuk ke ku ta kalosh kohën, thotë Mybera Kasumi, 63-vjeçare. Për moshën e tretë të popullatës, shteti, thotë ajo, nuk përkujdeset aspak. Sipas saj, mungojnë qendrat rekreative për të moshuarit.

“Shumë pak ka kujdes nga shteti për moshën e tretë. Për argëtim, për rehabilitim në përgjithësi si banja, deti, aspak. Tani edhe pandemia që ka mbyllur qendrat ku mblidhen pensionistët, ka vështirësuar edhe më shumë jetën sociale”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Pensionet e ulëta të rreth 200 mijë pensionistëve të Kosovës
Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 191.257.

Prej tyre, 142.092 janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 90 euro në muaj. Ndërsa, 49.165 janë kontributpagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 170 deri në 260 euro në muaj, në bazë të përgatitjes shkollore.

Ndryshe, rritje të pensioneve ka pasur herë pas herë. Fillimisht shuma e pensioneve ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj. Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.

Por, kjo rritje e bërë, nuk është e mjaftueshme për Shaban Kajtazin, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha qeveritë e pasluftës nuk e kanë kthyer kontributin e pensionistëve të Kosovës.

“Nuk është vetëm pensioni, janë të drejtat anësore, interesimi i pensionistëve për pushimet verore, interesimi për të siguruar shtëpia të pleqve. Në tërë Kosovën janë vetëm tri shtëpi të pleqve. Nevoja është e madhe për shtëpi të pleqve, kërkohen qendra rekreacioni”, thotë ai.

Kushtet në qendrat e pensionistëve, ku ata kalojnë ditën, janë jo të mira. Gjatë kohës së pandemisë, thotë Kajtazi, nuk ka pasur as dezinfektues e lërë më gjëra tjera.

Shëtitjet në parqe dhe bisedat me njëri-tjetrin
Pas, shëtitjeve që bëjnë në parqet në Prishtinë, restoranti, i cili gjenden në Qendrën e Pensionistëve, është vendi ku pensionistët mblidhen dhe bisedojnë me njëri-tjetrin.

Ankesat e secilit prej tyre janë pothuajse të njëjta. Kërkojnë më shumë përkujdesje shtetërore. Thonë se kanë kontribuar në ndërtimin e këtij vendi dhe se meritojnë të kenë një jetë të dinjitetshme.

Dikush prej tyre më me pak halle e dikush më shumë. Dikush ndihmohet nga familja e dikush pret vetëm pensionin.

Ramadan Rafuna është 95 vjeç dhe ai çdo ditë shëtit në parqet në Prishtinë dhe pastaj takohet me shokët e tij në restorant.

Ai thotë se nuk ka probleme financiare, pasi ka fëmijët të cilët kanë një gjendje të mirë financiare dhe e ndihmojnë atë. Ai shton se me pensionin që merr si pensionist kontributpagues, nuk do të ia dilet të mbulonte asnjë shpenzim.

“Do të duhej të ketë më shumë kujdes nga shteti për pensionistët. Të na dërgojnë në bregdet, në banja e të tjera. Tani në deti apo në banja mund të shkosh vetëm nëse paguan vet. Për dhjetë ditë kushton 220 euro”, thotë ai.

Të hënën, të mërkurën dhe të premten, këto janë ditët kur Rrahim Selimi, pensionist, viziton restorantin i cili gjenden në Qendrën e Pensionistëve në Prishtinë.

“Dalim këtu pimë ndonjë kafe, pleqtë nuk po i duan. Po i shoh në rrugë, nuk ta lëshojnë rrugën, unë si plak duhet të ja lëshoj rrugën një të riu. Po mirë, sa të dalim më këmbët tona, mirë jemi”, thotë ai.

Gjendjes së vështirë ekonomike dhe sociale të pensionistëve në Kosovë i ka paraprirë edhe marrja e Fondit Pensional në mënyrë antiligjore nga shteti i Serbisë, në vitin 1999.

Vlerësimet e bëra nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, flasin për mbi 1 miliard euro borxhtë Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës.

Pensionistët e Kosovës që i takojnë atij sistemi pensional janë munduar shumë herë që në mënyrë individuale t’i kthejnë ato mjete, mirëpo, deri më tani, një gjë e tillë nuk ka sjellë rezultat.

Të ngjashme