Ekonomia Online
FUNDIT

Tetë raste me fruth në Kosovë, IKSHPK thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

Tetë raste me fruth në Kosovë, IKSHPK thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët

Pas konfirmimit të tetë rasteve me fruth, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet shëndetësore po e monitorojnë situatën epidemiologjike duke qenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj. Kjo përmes identifikimit të fëmijëve të pa vaksinuar dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim në zonat me mbulueshmëri më të ulët. Sipas Institutit të […]

Pas konfirmimit të tetë rasteve me fruth, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet shëndetësore po e monitorojnë situatën epidemiologjike duke qenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj.

Kjo përmes identifikimit të fëmijëve të pa vaksinuar dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinim në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, fruthi është një sëmundje serioze dhe konsiderohet rreth 6 herë më ngjitëse se gripi. Sipas tyre, 1 në 5 persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore.

Simptomat përfshijnë: temperaturë, rrjedhje të hundës, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe skuqje në fytyrë dhe në gjithë trupin.

Për të ulur rrezikun nga përhapja e fruthit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Vaksinimi ul rrezikun e komplikimeve dhe ndihmon në forcimin e imunitetit te fëmijët që kanë imunitet të dobësuar. Ndikon edhe në parandalimin e përhapjes së ndonjë epidemie. Kryesisht prek grupmoshat prej 0-12 muajsh, që është edhe periudha kur bëhet vaksinimi me këtë vaksinë. Efektet kryesore janë që prek sistemin respirator, shkakton skuqje në trup dhe dobësim të imunitetit”, tha për RTK, Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1, Prishtinë.

Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth.

IKSHPK rikujton se çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar./RTK

Të ngjashme