Thaçi: Gjykatën Speciale e pranuam se u kërcënuam nga partnerët ndërkombëtarë

Prishtinë | 25 Dhj 2017 | 21:51 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Gjykata Speciale është një e padrejtë historike ndaj shqiptarëve të Kosovës, por ka sqaruar se kishte dy arsye përse e kishte mbështetur votimin e kësaj gjykate në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015.

“Nuk ka Gjykatë që lëndon integritetin dhe dinjitetin e UÇK-së”, ka thënë Thaçi. “Është padrejtësi historike ndaj shqiptarëve të Kosovës”.

Thaçi ka thënë se në vitin 2015 e kishte mbështetur Gjykatën Speciale për shkak të detyrimit nga partnerët ndërkombëtarë dhe zotimit të tyre për disa procese në të cilat parashihej të kalonte Kosova.

“Nuk është puna tek gabimi, por ka qenë kërcënimi i partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Presidenti Thaçi për Klan Kosovën.

“Nën një ka qenë detyrimi dhe e dyta ka qenë zotimi ndërkombëtar. Zotimi i tyre se me këtë lëvizje Kosova lëviz drejt themelimit të ushtrisë dhe lëviz më shpejtë drejt procesit të liberalizimit të vizave”, deklaroi Thaçi.

Thaçi tha se ka ndryshuar mendje për Gjykatën Speciale, sepse këto premtime të partnerëve ndërkombëtar nuk ishin realizuar. “Por këto nuk ndodhen”, deklaroi Thaçi.

Të ngjashme