Thaçi mbështet ndryshimet kushtetuese për bashkimin e Luginës me Kosovën

Prishtinë | 08 Gus 2018 | 11:38 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka folur për çështjen e korrigjimit të kufijve.

Ai tha se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje të Kosovës, e as autonomi, raporton Ekonomia Online.

“Dua të theksoj se dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor: arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore për normalizim, njohje reciproke dhe pajtim në mënyrë paqësore”.

“Jemi të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes, dhe në kuadër të këtyre përpjekjeve kam propozuar, pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës, Bujanocit, korrigjimin e kufirit me Serbinë për mundësinë e vetme për t’ju bashkuar Kosovës”.

“Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, jo autonomi por vetëm korrigjim të kufijve”.

Thaçi, madje, paralajmëroi edhe ndryshim të Kushtetutës nëse është e nevojshme një gjë e tillë.

“Nëse veç është i nevojshëm ndryshimi Kushtetutës për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujnocit, jam qysh sot për ndryshimin e Kushtetutës. Kushtetuta është ndryshuar 3 herë tashmë dhe nuk ka mëkat në këtë”

Presidenti theksoi se Kosova është e interesuar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare, raporton EO.

“Kosova vazhdon të jetë e interesuar dhe do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare. Jemi duke i kaluar ditët më të nxehta të verës, mirëpo duket që edhe debatet publike dhe politike për çështje të interesit nacional dhe shtetëror po bëhen gjithnjë e më dinamike. Kjo është një gjë e mirë, sepse mundëson diskutimin dhe hulumtimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme”.

Thaçi e përsëriti qëndrimin e tij për procesin e dialogut me Serbinë, duke thënë se është proces i vështirë, i rëndë, por i domosdoshëm.

“Sigurisht që tema kryesore mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe opsionet për arritjen e kësaj marrëveshjeje definitive paqësore Kosovë – Serbi”.

“Ky është një proces jashtëzakonisht i vështirë, i rëndë, por i domosdoshëm, sepse vetëm duke arritur marrëveshje me Serbinë, ne sigurohemi që Kosova do të mund ta realizojë perspektivën e saj euroatlantike, për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”.

“Ky është një kriter i qartë evropian se pa fqinjësi të mirë, asnjëra nuk mund t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare”.

“Unë e kam bërë të qartë se mundësitë për të arritur marrëveshje me Serbinë, gjasat janë minimale, mirëpo ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të shfrytëzojmë një mundësi që në fund të arrijmë një marrëveshje historike, paqësore”.

Të ngjashme