The Economist: Kurti i tërboi mbështetësit perëndimorë të Kosovës, Rusia mund ta eksploatonte situatën në veri

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

“Pse ka telashe përsëri në Kosovë?” – është titulluar artikulli i fundit i The Economist për Kosovën. Çka thuhet aty?

Gjatë ditës së djeshme, Nacionale publikoi dy artikuj shumë të rëndë të botuar në mediet perëndimore për veprimet e Qeverisë Kurti.

Njëri u botua në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) dhe sulmonte Kurtin se kishte politika në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit. Tjetri, i botuar në The Times, i bënte një portret mjaft të shëmtuar kryeministrit tonë.

Çka thuhet në artikull?

Artikulli në fjalë është i zhanrit shpjegues, dhe provon ta sqarojë thjeshtësisht gjithë atë që ka ndodhur duke dhënë edhe një kronologji ngjarjesh.

Aty përmendet po ashtu edhe dalja e serbëve të vendit nga institucionet e Kosovës, mosbesimi i tyre ndaj shteteve të Kosovës dhe… zhvillimet e fundit.

“Më 29 maj, kur një bandë serbe sulmoi trupat e NATO-s që po ruanin ndërtesën komunale në Zveçan në veri të Kosovës, alarmet tingëlluan në kancelaritë e Evropës dhe në Washington.” – nis artikulli i The Economist.

Më pas, vijohet tutje duke thënë se Rusia mund ta eksploatonte gjithë situatën nëse do të kishte vrasje të ndonjë civili serb.

“Nëse trupat e NATO-s do të kishin vrarë ndonjërin nga serbët, situata do të kthehej menjëherë nga një përleshje e ndyrë në një moçal të Ballkait në një incident që Rusia me aleatë të saj do ta kishin eksploatuar, duke akuzuar paqeruajtësit për vrasjen e civilëve të paarmatosur.”

Tutje, aty shtohet se Kurti ka tërbuar miqtë më të mëdhenj të Kosovës.

“Veprimet e z. Kurti kanë tërbuar mbështetësit perëndimorë të Kosovës.”

Por, megjithatë theksohet se si Serbia nuk ka mundur të ‘kapitalizonte’ nga këto veprime të Kurtit për të rritur mbështetjen perëndimore pikërisht për shkak të pozicionit të saj të pasqaruar në lidhje me luftën në Ukrainë. Serbia ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë së Putinit.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje kishte mbajtur një takim me emisarin e ShBA-ve Gabriel Escobar dhe me atë të BE-së Mirosllav Lajçak, e ku kishte folur për çështjen e tensioneve në veri dhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të ngjashme