Therja e kurbaneve vetëm në thertore të licencuara, AUV apel qytetarëve për respektim të rregullave

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje që therja e kurbaneve për festën e Kurban Bajramit të bëhet vetëm në thertore të licencuara, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe respektimit të legjislacionit në fuqi.

Në një komunikatë, AUV ka njoftuar se festa e Kurban Bajramit këtë vit shënohet më 27 maj dhe ka rikujtuar se therja jashtë objekteve të aprovuara përbën shkelje ligjore.

“Me rastin e festes se Kurban Bajramit, qe këtë vite shënohet me datë 27.05.2026. Therja e ‘’Kurbanit’’ lejohet vetëm në thertoret e aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Lista e thertoreve të aprovuara gjenden në web faqen e AUV-së”, thuhet në komunikatë.

Tutje, AUV ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të shmangin therjet në vende të palejuara.

“Me qellim të ruajtjes se shëndetit publik, respektimit të ligjit. Nga të gjithë pa përjashtim kërkojmë qe therjen e Kurbaneve ta bëni vetëm në objektet e destinuara për therje dhe të cilat kanë aprovim nga shteti. Therja jashtë këtyre objekteve, përben shkelje ligjore dhe mund të rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik”, theksohet më tej.

Sipas komunikatës, lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përkatës, shitblerja apo therja në vende publike nuk do të tolerohen dhe institucionet shtetërore do të ndërmarrin veprime.

“Lëvizja e kafshëve pa dokumente shoqëruese, shitblerja apo therja në vende publike nuk do të tolerohet, mekanizmat e shtetit do të veprojnë”, thuhet në reagim.

AUV ka bërë të ditur se thertoret e licencuara janë nën mbikëqyrje të autoriteteve shtetërore dhe plotësojnë kushtet sanitare e higjienike për therje.

“Thertoret përveç se janë nën mbikëqyrje të autoritetit shtetërorë. Objektet posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike. Në të gjithë vendin ka thertore për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetareve”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme