“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme, cenon pavarësinë e gjyqësorit”

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 16:30 | Nga

Organizata Demokraci Plus (D+), reagon me shqetësim ndaj vendimit të sotshëm të Kryesisë së Kuvendit për organizimin e seancës së jashtëzakonshme që për pretekst kanë vendimet e fundit të organeve gjyqësore në rastet e njohura si „Drenica 1 dhe 2“.

Kjo organizatë konsideron se ky veprim i Kuvendit cenon rëndë pavarësinë e pushteteve të pavarura të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. Trajtimi dhe debati politik i vendimeve të institucioneve të pushtetit gjyqësor është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pushtetin gjyqësor dhe paraqet praktikë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Për më tepër ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku Kuvendi i Kosovës hapur dhe drejtpërdrejtë i ndërhyn gjyqësorit. Praktika të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën në raste të ngjashme si debati parlamentarë për rastin “Kiqina”. Ky debat dhe të tjerët të ngjashëm tregon për shpërfilljen e hapur të partive politike dhe Kuvendit të Kosovës për pushtetin gjyqësorë.

Kuvendi i Kosovës si organ më i lartë përfaqësues në vend duhet të kujdeset që parimi i ndarjes së pushteteve dhe pavarësia e tyre, të jenë vlera të pacenueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Demokraci Plus i bën thirrje institucioneve tjera, me theks të veçantë institucionit të Presidentit të vendit, që si garant i funksionimit kushtetues të institucioneve, të shfrytëzoj autoritetin e tij që praktikat e tilla jo-demokratike të marrin fund në jetën politike dhe institucionale në Kosovë.

Po ashtu D+ kërkon reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në lidhje me këtë rast, pasi që mos reagimi nga ana e këtij institucioni do të mund të dërgonte mesazhin se këto institucione i nënshtrohen urdhrave të politikës e në këtë rast Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme