Tolaj: Kushtetuesja me vazhdimin e pezullimit të Ligjit të Pagave po vazhdon eksperimentimin me dinjitetin njerëzor

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 20:24 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e AAK-së, Arbër Tolaj, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese që sot vendosi për të vazhduar edhe më tej pezullimin e Ligjit të Pagave.

Sipas tij, kjo është dëshmi se vendi ynë po shkon drejt një kolapsi të plotë social.

Ai ka kërkuar që urgjentisht të ndalohet ky eksperimentim me dinjitetin njerëzor.

Lexoni më poshtë postimin e tij:

Vazhdojnë të vriten shpresat e punonjësve të shëndetësisë, arsimit, policisë, zjarrfikësve, e administratës shtetërore.

Gjykates kushtetuese nuk i paskan mjaftuar 5 muaj zvarritje të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, por sot paska vendosur që edhe më tej ta vazhdoj pezullimin e këtij Ligji, në mënyrë që të shqyrtoj ligjshmërinë e tij.

Padyshim se kjo është dëshmi se vendi ynë po shkon drejt një kollapsi të plotë social.
Punonjësve të institucioneve të Kosovës po u mohohet e drejta e pages së dinjitetshme.
Rrjedhimisht situata aktuale, posaçërisht në segmentin e shëndetësisë është tejet shqetësuese.

Heronjtë shëndetësorë që janë në vijën e parë të frontit në këtë kohë Pandemie, duke dëshmuar altruizmin e tyre për qytetarin, prapë u injoruan.

Është momenti i fundit që kompetentët ti thërrasin mendjës, ngase me vetëdije të plotë po bëhen përgjegjës për shkatërrimin e Institucioneve shëndetësore, arsimore, administrative, të sigurisë, etj.

Kërkoj që urgjentisht të ndaloni eksperimentimet me dinjitetin njerëzor!
Dr. Arbër Tolaj.

Të ngjashme