Tre kosovarë e kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, konkretisht në Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit, ku u gjet edhe automjeti i tyre i përmbysur i tipit Mercedes, me targa gjermane.
Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme e RMV-së.
“Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftim.
MPB ka bërë të ditur se më herët, në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor Bit Pazar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.