Tri protestat që kërkojnë zgjedhje të reja në Kosovë

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Protestë sonte nga ballkoni dhe dy protesta të tjera gjatë fillimit të muajit maj, janë paralajmëruar në rrjetet sociale, si reagim i rrethanave të fundit politike në vend.

Grupi i aktivistëve “Replikë” ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që sonte në ora 20:00 përmes zhurmës me tenxhere të kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare pas përfundimit të pandemisë COVID-19.

Kurse, më 4 maj, duke filluar nga ora 14:00, po bëhet ftesë për të marrë pjesë në manifestimin për zgjedhjet. Në këtë ftesë thuhet se pas përfundimit të ligjit për kufizimin e lëvizjes për parandalimin e COVID-19, të hënën 4 maj, të ‘dalim të gjithë në manifestim për mbrojtjen e Republikës së Kosovës’.

‘Duam zgjedhje dhe nuk e lejojmë vjedhjen e pushtetit. Duam një Qeveri legjitime dhe të zgjedhur nga vota e popullit të Kosovës. Mos e shpërfillni vullnetin e popullit. U bo boll ! Jemi lodhë. Të bëhemi sa më shumë që e kundërshtojmë këtë vjedhje të pushtetit, thuhet në njoftim.

E menjëherë të nesërmen, më 5 maj, në rrjetet sociale po bëhet ftesë për një protestë paqësore , duke filluar nga ora 14:00 në sheshin ‘Skënderbeu’. Të dy protestat e fundit po mbështeten nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër asaj që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ai nuk do të organizojë protesta.

Por gjithashtu, Kurti dje në takimin me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se veprimet e fundit të presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.

Ai shtoi se si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. 

Të ngjashme