Thomas Tucheli do të jetë trajneri i ri i Anglisë, ka konfirmuar Federata Angleze e Futbollit të mërkurën.
Gjermani do ta marrë drejtimin e “Tre Luanëve” duke filluar nga janari i vitit 2025, ndërsa ka shprehur gëzimin dhe kënaqësinë e tij që do t’i drejtojë “Tre Luanët”, ku do ta pasojë Gareth Southgaten, i cili u largua pas Euro 2024.
“Jam mjaft krenar që mu dha një nder i madh për ta drejtuar Kombëtaren e Anglisë. Qe një kohë të gjatë e kam ndier një lidhje personale me lojën e futbollit në këtë vend. Këtu më janë dhënë disa momente të jashtëzakonshme tashmë”, deklaroi fillimisht ish-trajneri i Paris Saint-Germainit e Chelseat.
“Ta kem mundësinë ta përfaqësoj Anglinë për mua është një privilegj i madh dhe mundësia për të punuar me këtë grup special dhe të talentuar është mjaft emocionuese”, vazhdoi ai.