U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje dhe një shkolle në komunën e Istogut

Prishtinë | 26 Qer 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar sot qytetin e Istogut, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit për ndërtimin e çerdhes në qytetin e Istogut dhe të vënies së gurëthemelit për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Tre dëshmorët e shkollës shqipe” në fshatin Uçë të kësaj komune.

Ministri Bytyqi fillimisht është takuar me kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, me të cilin ka nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi për bashkëfinancim të ndërtimit të objektit të ri të shkollës në Llukavc të Epërm të kësaj komune.

Ministri Bytyqi tha se, vetëm me një bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal, mund të arrijmë synimet për të pasur një standard të lartë të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë.

Ndërsa, në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të çerdhes, ministri Bytyqi theksoi se ky investim po bëhet në kuadër të angazhimeve të mëdha që po bën MAShT për të krijuar kushte dhe mundësi për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.

Edhe gjatë ceremonisë së vënies së gurëthemelit të shkollës në Uçë, Ministri përmendi përpjekjet e vazhdueshme të MAShT për të krijuar ambiente moderne dhe të përshtatshme për arsimim cilësor.

“Vet fakti se kjo shkollë mbanë emrin e tre dëshmorëve, tregon më së miri që populli ynë gjithmonë e ka dhënë edhe jetën për arsimin dhe gjuhën shqipe”, tha ministri Bytyqi dhe uroi të gjithë banorët e fshatit që do ta kenë një shkollë të re dhe moderne.

Gjatë ditës, ministri Bytyqi dhe kryetari Rugova vunë kurora lulesh te lapidari i tre dëshmorëve të fshatit Uçë, Hasan Hysenaj, Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhaj, vepra e të cilëve ka bërë që shkolla të marrë emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”.  

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme