Rëndësia e madhe e sigurisë së informacioneve në botën digjitale është vërtetuar, prandaj edhe ndikimi i saj po rritet me shpejtësi të madhe. Duke i kushtuar kujdes të veçantë zhvillimit dhe përmirësimit të kësaj fushe, Qendra për Siguri dhe Privatësi dhe UBT do të organizojnë për herë të dytë konferencën më të madhe ndërkombëtare për siguri kibernetike dhe privatësi, qëllimi i së cilës është zhvillimi e një plan projekti, si dhe ngritja e fushatave ndërgjegjësuese mbi rolin dhe rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së të dhënave.
Konferenca do të mbahet më 2-4 shkurt 2017, në ambientet e hotelit Emerald në Prishtinë, ku janë ftuar ekspertë me ndikim nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe kompani të ndryshme telekomunikacioni, agjenci të shumta kombëtare, përfaqësues nga CERT-et kombëtare, si dhe njësi e prokurorë për trajtimin e krimeve kibernetike nga vendet e rajonit.
Gjatë tri ditëve të konferencës do të trajtohen tema që kanë të bëjnë me sigurinë e të dhënave dhe ligjin, për sfidat dhe zgjidhjet e problemeve të sigurisë kibernetike, për reduktimin e akteve terroriste përmes përgjimeve të ligjshme, për ndërgjegjësimin mbi sigurinë, për privatësinë dhe të drejtat e mediave etj., për të cilat do të flasin mbi 30 folës vendorë e ndërkombëtarë, që i përkasin fushës së teknologjisë së informacionit, zyrtarë shtetërorë, figura të njohura të botës së televizionit dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, si: FACEBOOK, GOOGLE, MICROSOFT, HP, ETSI,RSA, CISCO etj., teksa prezantimet do të jenë të ndara në tri sesione.
Krahas kësaj, në ditën e parë të këtij organizimi, paralel me konferencën, do të zhvillohet edhe punëtoria e dytë, e titulluar “Dita kur hakimi është legal III”, me ç’rast hakerët etikë, për tetë orë, do të mundohen të gjejnë viruset dhe zbrazësitë nëpër faqet e internetit, të cilat janë krijuar për këtë qëllim. Si rezultat i kësaj, tash e disa ditë ka filluar organizimi i punëtorive në dhjetëra universitete publike dhe kolegje private, ku do të formohen grupe të hakëreve, që do të prezantojnë universitetet përkatëse në aktivitet.
Vlerësimi online dhe transparent i garuesve do të bëhet nga profesionistë të kësaj fushe, në mesin e të cilëve do të jenë edhe disa prej hakerëve, të cilët renditen në pesëshen më të mirë të botës, teksa i tërë procesi do të zhvillohet në një platformë transparente, e monitoruar dhe e mbështetur edhe nga kompania FindBUG.