UBT përfaqësohet në konferencën dhe ekspozitën e përbashkët Ballkanike

Prishtinë | 01 Nën 2017 | 17:21 | Nga

Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT, po marrin pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike, në cilësinë e panelistëve, por edhe pjesëtarëve të stafit organizativ.

Konferenca në fjalë ka filluar punimet sot dhe do të vazhdojë deri më 3 nëntor, teksa organizimi është bërë nga SHUKOS dhe SHUKALB, përkrahur edhe nga UBT.

Temë kyçe e këtij edicioni është: “Sfida e ujërave të zeza”, temë kjo që solli vëmendjen në nevojën për investime të konsiderueshme kapitale dhe operacionale, në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza për mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe për mjedisin dhe me këtë rast, mblodhi edhe profesorë, ekspertë të ujërave dhe studentë e inxhinierë nga tërë Ballkani.

Konferenca filloi punimet me organizimin e forumit me të rinj dhe studentë, ku u trajtua çështja e sfidave për zhvillim të karrierës në sektorin e ujit në Kosovë.
Përfaqësues të UBT-së, njëherësh edhe panelistë në këtë forum ishin profesorët në UBT, Hazir Çadraku, Sokol Xhafa, i cili njëherësh është edhe kryetar i Grupit të Profesionisteve të Rinj, studentja e UBT-së, njëherësh edhe nënkryetare e këtij grupi, Ninëz Kosumi dhe profesori Ilir Abdullahu, i cili është drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Prishtina” dhe drejtor ekzekutiv i bordit të kompanisë SHUKOS.

Hapja solemne e kësaj konference do të bëhet në ora 18:00, ku do të marrin pjesë rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, prof. dr Muhamet Ahmeti dhe prodekani, prof. dr Visar Krelani, si dhe studentët e këtij drejtimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme