Sistemi shëndetësor në Kosovë përballet me shumë probleme, ndër to edhe me mungesë të kuadrove profesionale e posaçërisht për infermierë të shkolluar, andaj kjo ka bërë që UBT të akreditojë këtë program që aktualisht i plotëson të gjitha kushtet profesionale, si dhe siguron një qasje të balancuar në aspektin e teorisë dhe praktikës.
Programi Bachelor i Infermierisë, në UBT, aktualisht është i orientuar të ofrojë shërbime profesionale, me qëllim që studentët e këtij drejtimi të përgatiten për tregun e punës gjithmonë duke iu ofruar leksione, punë praktike e trajnime të shumta.
UBT posedon edhe kabinetet e infermierisë, që janë të pajisura edhe me aparatura moderne, salla adekuate për mësimdhënie, si dhe profesor vendorë e ndërkombëtarë, prandaj, kjo ka bërë që mbi 400 studentë të regjistrohen gjatë vitit akademik 2016/2017.
Dekani i Fakultetit të Infermierisë, Fitim Alidema ka bërë të ditur se studentët po ndjekin leksionet ndërkohë edhe ushtrimet laboratorike në kampuset e UBT-së, duke shtuar se pjesën e praktikës profesionale studentët do të fillojnë në semestrin pranveror në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë të udhëhequr nga profesorët dhe asistentët.
Sipas tij, nëpërmjet praktikës së infermierisë, ndër të tjera studentët do të përgatiten për shërbime të infermierisë në masat preventive, rehabilituese, lehtësuese për individët dhe grupet e shoqërisë.
“Llamba fototerapike, aparati për frymëmarrje, oxisat pulsoximetri, cato aparati për narkozë dhe cicero aparati i narkozës, janë disa nga aparaturat moderne që gjenden në UBT, e që janë në shërbim të studentëve të infermierisë”, ka thënë Alidema duke shtuar se në punën praktike studentët do të informohen për së afërmi si bëhen intervenimet në rastet urgjente, duke filluar me dhënien e frymëmarrjes artificiale.
UBT ka bashkëpunim dhe në partneritet me më shumë se 250 universitete botërore, andaj ai konsideroi se programi i Infermierisë është i harmonizuar me rregullat e Bashkimit Evropian si dhe ofron mundësi transferi dhe njohje në Evropë.
Vlen të theksohet se studentët e kualifikuar në programin e Infermierisë në UBT kanë mundësi për të punuar në shërbimin shëndetësor, ofrimin e shërbimeve të infermierisë tek fëmijët, adoleshentët, të rriturit dhe të moshuarit me shërbime akute, kronike, somatike ose sëmundje psikiatrike.