UNDP: Zvogëlohet perceptimi për prezencën e korrupsionit në ATK nga 35% në 21%

Prishtinë | 26 Kor 2023 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Korrupsioni është një sfidë e madhe për shumë vende dhe institucione, por Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë progres të vazhdueshëm në ruajtjen dhe rritjen e besimit të publikut për këtë institucion. Kjo ka ndodhur duke forcuar mekanizmat dhe reformat në proceset kyçe të ATK-së, siç janë llogaridhënia, automatizimi i proceseve të punës, si dhe implemtimin e mbi 40 aktiviteteve tëplanifikuara me Planin Për Përmirësim të Integritet për vitin 2021-2023.

Vlerësimi për këtë çështje është pasqyruar me publikimin e raportit nga UNDP “Përmbledhja e Pulsit Publik XXIV”, në të cilin theksohet se perceptimi i qytetarëve për korrupsion në Administratën Tatimore të Kosovës është zvogëluar nga 35.30% (sa ka qenë në maj të vitit 2019) në 21.20%. Reflektim i këtyre rezultateve janë përmirësimi i transparencës dhe proceseve të vendimmarrjes, zvogëlimi i ndikimit të faktorit njeri, masat për parandalimin e konfliktit të interesit, edukimi dhe sanksionimi i stafit, etj.

Gjithashtu, përfshirja e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë ka ndihmuar në forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe në luftën kundër korrupsionit. Kjo përpjekje e vazhdueshme është një indikator i përkushtimit të Administratës Tatimore për një shoqëri më transparente dhe të drejtë.

Ky raport ofron gjetjet për treguesit kyç në lidhje me perceptimin e qytetarëve për çështjet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin dhe çështjet politike. Anketat e opinionit realizohen dy herë në vit dhe e pasqyrojnë opinionin e mbi 1,300 të anketuarve mbi 18 vjeç në Kosovë.

Të ngjashme