Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka rrëfyer në podcastin e Grida Dumës për formimin e tij personal, familjen dhe mësimet që i ka marrë qysh herët nga babai i tij.
Ismaili tha se, ndonëse ka ardhur nga një familje ku edukimi dhe puna kanë qenë vlera të rëndësishme, ai është mësuar që në moshë të re se në jetë nuk duhet të presësh gjithçka të gatshme.
Duke folur për babain e tij, Ismaili tregoi se ai nuk kishte besuar në idenë që pasuria të trashëgohet pa përgjegjësi, por në atë që secili duhet ta ndërtojë vetë rrugën e tij.
“Kur kam pasur 15 vite, më ka ulur dhe më ka thënë se do të më lë një banesë dhe një bibliotekë. Këto dy janë trashëgimia ime ndaj teje, gjithçka tjetër kërkoj që ta bësh tënden”, rrëfeu Ismaili.
Ai tha se që nga ajo moshë kishte filluar të punonte, fillimisht duke ndihmuar në ordinancën e babait të tij, i cili ishte stomatolog.
“Që nga 15 vite kam filluar me punuar. Aty ndoshta më ka mësuar edhe prioritetin e punës, që duhet të lësh diçka që është kënaqësi për ty, sepse ke nevojë të punosh”, tha ai.
Ismaili shtoi se trashëgimia më e madhe që kishte marrë nga babai nuk ishte materiale, por dëshira për t’u edukuar, për të punuar dhe për ta zhvilluar veten.