Vaksinimi kundër Covid-19 gjallëron ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 20 Sht 2021 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Vendet e rajonit kanë shënuar përmirësim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të çmimeve të konsumit.

Sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, me nisjen e vaksinimit dhe heqjen e kufizimeve edhe në këto vende, të gjithë sektorët e ekonomisë janë rigjallëruar. Tremujori i parë i vitit 2021 ka shënuar rritje ekonomike pozitive për të gjitha, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut. Si konsumi privat, i ndihmuar nga rritja e besimit, ashtu edhe investimet, të ndihmuara nga shpenzimet publike, kanë njohur përmirësim.

Ndryshim bën Maqedonia e Veriut, ku politika fiskale po ndjek një kah konsolidues dhe investimet publike kanë shënuar tkurrje. Konsumi privat këtu ka mbetur i dobët, duke reflektuar pasiguritë mbi ecurinë e pandemisë në vend.

Të dhënat e tërthorta tregojnë për një përmirësim të aktivitetit ekonomik në rajon në tremujorin e dytë, ndonëse pa arritur ende në nivelet e parapandemisë COVID-19. Ecuria pozitive e Eurozonës, me të cilën është i lidhur ngushtë aktiviteti ekonomik i rajonit, pritet të rrisë kërkesën e huaj dhe të kontribuojë pozitivisht në ecurinë ekonomike të tij.

Normat e inflacionit kanë shënuar rritje, duke pasqyruar rritjen e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve. Megjithatë, presionet për rritje të çmimeve nga kërkesa e brendshme dhe tregu i punës janë ende të dobëta.

Çmimet ndjekin tendencën botërore

Çmimet e mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të rriten në reflektim të rimëkëmbjes së ekonomisë botërore, vështirësive në zinxhirët e furnizimit dhe efekteve bazë nga ulja e çmimeve një vit më parë. Çmimi i naftës ka tejkaluar nivelet e periudhës para pandemisë, ndërsa çmimet e metaleve dhe të ushqimeve kanë arritur vlera historike ndër vitet e fundit. Rritja e çmimit të metaleve sjell efekte pozitive në eksportin e metalit vendas, i cili zë peshë të rëndësishme në eksportet totale, sipas raportit të BSH.

Çmimi i naftës Brent ishte 81 për qind më i lartë se një vit më parë dhe 15% më i lartë se në janar të vitit 2020, duke u kuotuar me rreth 73 dollarë/fuçi në muajin qershor. Rritja e çmimit të naftës u nxit nga rritja e kërkesës në kontekstin e pritjeve pozitive për ekonominë botërore. Në të njëjtin kah ka ndikuar dhe kufizimi në prodhim për shkak të kuotave të reduktuara nga OPEC+ që prej vitit 2020.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë një rritje të theksuar të kërkesës për metale. Indeksi i çmimeve të metaleve është rritur 69% në qershor, krahasuar me vitin e kaluar. Në rritjen e çmimeve të metaleve kanë ndikuar edhe kufizimet në furnizim nga disa miniera kryesore. Edhe çmimet e produkteve bujqësore kanë njohur rritje të vazhdueshme që prej mesit të vitit të kaluar. Indeksi i çmimeve të ushqimeve u rrit me 39 për qind në muajin qershor nga një vit më parë.

Në prani të një kërkese të lartë, çmimet e ushqimeve janë ndikuar edhe nga të korra më të ulëta, nga probleme në furnizim dhe rritje të kostove të transportit ndërkombëtar, si dhe nga kufizimet në eksportin e drithërave nga Rusia. Me zbutjen e kufizimeve në furnizim, presionet për rritje të çmimeve të metaleve dhe të ushqimeve pritet të stabilizohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme