Vazhdimi i seancës të hënën, nuk procedohet Demarkacioni

Prishtinë | 23 Shk 2017 | 10:33 | Nga Jehona Zhuniqi

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se do të ketë vazhdim të seancës të hënën me ato pika që kanë mbetur, duke lënë të kuptohet se nuk do të procedohet Demarkacioni.

Ndërsa tha se seanca e re do të mbahet të enjten.

Ai ka folur edhe për Demarkacionin duke thënë se në momentin që Qeveria e procedon për Kuvend demarkacionin do ta procedojnë menjëherë sepse edhe ashtu është vonuar, raporton Ekonomia Online.

“Kemi nevojë të kemi raporte të mira me fqinjët tonë. Demarkacioni si të procedohet nga Qeveria do ta procedojmë edhe ne. Kemi edhe shumë çështje që na kanë mbetur. Kemi edhe transformimin e FSK”.

Sipas tij gjatë gjithë kësaj çështja për demarkacionin kemi nevojë të jemi fuqishëm afër partnerëve tonë.

“E kemi shtetin tonë, t’i kryejmë obligimet e të ecim përpara”.

Kosova sipas tij është duke ecur përpara ndërsa shtoi se kanë obligim t’i shënojmë kufijtë shtetëror.

“Duhet të lëvizim përpara. Demarkacioni duhet të kalojë sa më shpejtë sepse kemi interes. Ju kisha lut t’i bëjmë vëmendje interesit strategjik, të ecim përpara. Duhet të ecim në proceset e integrimeve përpara”, tha Veseli

Veseli foli edhe për takimin me presidentin Trump duke thënë se është takim që i shërben interesit të vendit.

Kuvendi diskuton propozim-rezoltën për arrestimin e aktivistëve të VV-së

Në vazhdimin e seancës të hënën pritet të votohen: propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, propozim-rezoluta në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, raporti i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe pritet formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera, zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe me votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Punimet e Kuvendit do të vazhdojnë me shqyrtimin e dy projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Po ashtu, pritet edhe gjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.

Në këtë vazhdim të seancës, do të shqyrtohet edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST Sh. A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut – KOSTT Sh. A.

Në fund, deputetët do të kenë mundësi të shtrojnë pyetje në adresë të ministrave, të mbetura nga seanca e kaluar.

Në seancën e re, të enjten, pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë tetë projektligje: Projektligjin për ndërmarrjet sociale, Projekt-kodit nr. 05/L-146 i Drejtësisë për të Mitur, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, Projektligjin për noterinë, Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për shërbime.

Seanca pritet të përfundojë me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. Kështu, u vendos që deputetëve t’u shpërndahet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i hartuar nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, si dhe Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i hartuar nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, ndërsa komisionet përkatëse të ngarkohen për shqyrtimin e tyre.

Të ngjashme