Vdes aktori Bujar Lako

Tiranë | 26 Dhj 2016 | 13:19 | Nga

Bujar Lako, aktori i njohur dhe shumë i dashur për shqiptarët, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të hëne, si pasojë e një infarkti. Lako ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare.

Aktori ka qenë i njohur për shumë në filma, ku midis tyre veçojmë: “Gjeneral gramafoni”, “Ballë për ballë”, “Udha e shkronjave”.

Dy fjalë mbi aktorin e mirënjohur

Bujar Lako ka lindur në Tiranë më vitin 1948. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë se vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .

Çmime dhe vlerësime ndaj aktorit Bujar Lako

Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se pare, për filmat “Gjeneral grarnafoni” dhe “Ballë per ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër.

Në festivalin e filmit të vitit 1991, ai është shpallur aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”. Në vitin 1985 fiton titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 2005, ai ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku..ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme