Vendos MMPH-ja, personat që hedhin mbeturina do të gjobiten nga 20 deri në 100 €

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 12:07 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Fatmir Matoshi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore.

Përmes këtij udhëzimi administrativ, të gjithë personat fizikë që hedhin mbeturina jashtë kontenjereve apo djegin mbeturina do të gjobiten me gjobë prej 20 deri 100 euro, raporton Ekonomia Online.

Matshi tha se ky udhëzim qëllim ka parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e mbeturinave, eliminimin apo reduktimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private nga ndotja, përmes menaxhimit të mbeturinave.

Sipas tij, krahas fushatës së pastrimit e cila po vazhdon me sukses, zbatimi i këtij udhëzimi do të ndikojë pozitivisht në vetëdijesimin e qytetarëve dhe parandalimin e ndotjes së mjedisit nga hedhja e mbeturinave në vende të pacaktuara dhe djegien e tyre.

Gjoba do t’u shqiptohet të gjithë atyre që hedhin mbeturinë jashtë vendeve të caktuara si:

  1. Hedhë cigaren në rrugë ose në sipërfaqe publike 20 euro;
  2. Hedhin mbeturina dhe ambalazhe të ndryshme 30 euro;
  3. Hedhja mbeturina komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro;
  4. Me gjobë do të ndëshkohen edhe personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti 50 euro;
  5. Do të ndëshkohet personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre 50 euro;
  6. Do të ndëshkohet personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim 70 euro;
  7. Ndëshkohet personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro;
  8. Ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe djegia e mbeturinave ne ara te punueshme apo natyre.

Matshi ka sqaruar edhe për afatet e pagesës dhe për pasojat nëse ajo nuk paguhet.

“Personi ndaj të cilit shqiptohet ndëshkimi me gjobë mandatore është i detyruar që të bëjë pagesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e shqiptimit të gjobë”.

“Pagesën për ndëshkim me gjobë mandatore, personi e paguan në xhirollogarinë sipas paragrafit 4 të nenit 10, të këtij Udhëzimi (shënuar nën hapësirën nr. 4,  të urdhëresës për pagesë, në Shtojcën I, forma 1, forma 2 dhe Forma 3 të këtij Udhëzimi), për të cilën merr dëshmi”.

“Nëse personi paguan gjobën në afat e përcaktuar sipas nenit 11 të këtij Udhëzimi, paguan vetëm gjysmën (50%) e shumës së gjobës mandatore të shqiptuar. Dëshminë për pagesë, personi sipas paragrafit 1 të këtij neni, ia paraqet autoritetit kompetent që ka shqiptuar ndëshkimin me gjobë mandatore”.

“Nëse personi nuk e paguan gjobën sipas afatit të përcaktuar në nenin 11 të këtij Udhëzimi, ose nuk parashtron kundërshtim brenda afatit prej tetë (8) ditësh, do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm në pajtim me dispozitat e Ligjit për procedurën përmbarimore”.

Ai ka sqaruar se pas nënshkrimit të këtij udhëzimi, në afatin prej 7 ditësh deri sa ky udhëzim të hyjë në fuqi, do të ketë një fushatë promovuese të këtij udhëzimi, për t’i njoftuar qytetaret për këtë udhëzim dhe për gjobat që i presin ata që shkelin këtë udhëzim.

Të ngjashme