Venezuelë, u hiqet imuniteti opozitarëve të dyshuar për sulmin ndaj Maduros

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 16:27 | Nga

Kuvendi Nacional i Venezuelës ka hequr imunitetin e liderit opozitar dhe ish-kryetarit të kuvendit Julio Borges dhe deputetit opozitar Juan Requesens, për të cilët është pretenduar të jenë përgjegjës për tentativën për atentat ndaj presidentit Nicolas Maduro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kuvendi përmes një votimi mori vendim unanim për heqjen e imunitetit të Requesense, i cili tashmë gjendet në arrest, dhe atë të Borges, i cili jeton në Kolumbi.

Kreu i Kuvendit Nacional Diosdado Cabello tha se Borges dhe Requesens akuzohen për tentativën për atentat, duke shtuar se këta janë vetëm dy nga emrat e dyshuar për pjesëmarrje në atentat dhe se hetimi është duke vazhduar.

“Drejtësia do të gjejë vendin e saj”, tha Cabello.

Ndërkohë, kryeprokurori Tarik William Saab njoftoi se autoritetet kanë zbuluar se 19 persona kanë lidhje me rastin.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Venezuelës Jorge Arreaza dhe Saab janë takuar me ambasadorin amerikan në Karakas, James Story.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë ndonjë njoftim se çfarë është diskutuar në takim dhe nëse Venezuela ka kërkuar nga SHBA ndonjë ekstradim.

Ndryshe, Maduro të shtunën i mbijetoi një sulmi me dronë të ngarkuar me eksplozivë teksa po mbante një fjalim në një ceremoni në kryeqytetin Karakas, me ç’rast shtatë ushtarë ngelën të plagosur.

Pas incidentit, Maduro theksoi se sulmuesit kanë lidhje me Kolumbinë dhe opozitarët venezuelas që jetojnë në SHBA.

Duke folur në një kanal televiziv dy ditë më parë, Maduro pohoi se duke marrë parasysh dëshmitë e gjashtë personave të arrestuar pas incidentit, përgjegjës për tentativën për atentat është lideri opozitar Borges i cili jeton në Kolumbi, duke shtuar se edhe Requesense është në mesin e të dyshuarve.

Gjykata e Lartë në Venezuelë më herët gjatë ditës së djeshme mori vendim për arrestimin e Borges dhe gjykimin e Requesense.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme