Vërejtje mbi ekspozenë e Politikës së Jashtme

Prishtinë | 14 Sht 2026 | 08:16 | Nga Albert Prenkaj

Në ekspozenë për Politikën e Jashtme të Kryeministrit të Qeverisë Kurti 4, mendoj se bëhet fjalë për një strukturim të natyrës elementare dhe bazike, më tepër karakteristik për një diplomat fillestar, sesa për një koncept të mirëfilltë të kësaj shtylle kryesore të politikës shtetërore. Ekspozeja nuk adreson në mënyrë të mjaftueshme një Politikë të Jashtme të konsoliduar, partneritetet strategjike të rëndësishme, si dhe konvergjencën me strategjitë kombëtare të diplomacive përcaktuese të Global North (Veriut Global) apo të Western Hemisphere (Hemisferës Perëndimore).

Procesi i sigurimit të njohjeve të reja, sikurse edhe njohja e pasaportave të Kosovës, janë ndërmarrje shumëdimensionale, të cilat kërkojnë koordinim, diplomaci aktive dhe bashkëpunim të ngushtë me vendet mike dhe partnerët strategjikë.

Njohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj kërkon që Kosova të përmbushë dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e saj ndërkombëtare. Këto përgjegjësi do t’i hapnin rrugë rikthimit të Kosovës si një aktor shtetëror kredibil, i besueshëm dhe i parashikueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kosova nuk është përmendur si temë e veçantë në takimin e vendeve të BE-së në Irlandë, gjë që mund të lidhet edhe me faktin se ajo ende nuk i përmbush në mënyrë të mjaftueshme disa prej kushteve themelore të lidhura me Acquis Communautaire. Këtu përfshihen, ndër të tjera, paqëndrueshmëria politike, mosrespektimi ose zbatimi i pamjaftueshëm i kornizës ligjore, pasiguria ekonomike, si dhe trajtimi jo i mjaftueshëm i komuniteteve joshumicë.

Mendoj se një prioritet i rëndësishëm i Politikës së Jashtme të Kosovës duhet të jetë përqendrimi i diplomacisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Një anëtarësim i tillë do t’i hapte Kosovës një hapësirë më të gjerë institucionale dhe diplomatike për të avancuar drejt aderimeve të tjera ndërkombëtare dhe për të forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Natyrisht, ky rrugëtim kërkon angazhime serioze dhe të qëndrueshme në përmbushjen e përgjegjësive ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, dërgimi i atasheve të sigurisë, të ekonomisë dhe të kulturës pranë kancelarive dhe misioneve diplomatike të rëndësishme është një ndërmarrje që vështirë se mund të realizohet në mënyrë të mirëfilltë pa u përcaktuar paraprakisht baza e nevojshme ligjore dhe institucionale.
Një ligj i unifikuar për Shërbimin e Jashtëm, i cili do të zëvendësonte katër ligjet dhe rregulloret aktualisht në fuqi, të cilat në aspekte të caktuara janë në kolizion me njëra-tjetrën, do të mundësonte krijimin e një kornize më të qartë dhe më funksionale për Politikën e Jashtme të Kosovës. Një bazë e tillë ligjore do t’i mundësonte diplomacisë së Kosovës të përballet në mënyrë më të strukturuar me ndryshimin e paradigmave të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me procesin e formësimit të Rendit të Ri Botëror.

Të ngjashme